Nëse paga fillestare e një mësuesi është 29.258 denarë, nga shtatori do të jetë 32.183 denarë

Paga e shtatorit për mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesional do të jetë 10 përqind më e lartë nga shtatori. Kjo do të thotë se nëse paga fillestare e një mësuesi në arsimin fillor, e cila tani është saktësisht 29.258 denarë, nga shtatori do të jetë 32.183 denarë. Pagat e tjera do të jenë më të larta, në varësi të përvojës së mësuesve, pra nga shkalla e kompleksitetit, transmeton Portalb.mk.

Fryt i negociatave mes sindikatave dhe Qeverisë është edhe regresi i pushimit vjetor, të cilën për herë të parë pas 24 vitesh do ta marrin punonjësit e arsimit. Ai do të jetë 10.000 denarë. Të gjithë të punësuarit në administratë do të marrin pushim vjetor prej 10 mijë denarë, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jetë së paku 30 për qind nga paga mesatare.

Mirëpo, siç thanë për Meta.mk nga Sindikata e Pavarur për Arsim dhe Shkencë (SPASh), zgjidhja e vetme për të punësuarit në sektorin e arsimit është zbatimi i plotë i marrëveshjeve kolektive ekzistuese në arsimin fillor dhe të mesëm.

“Në marrëveshjet kolektive për sektorin e arsimit, nenet 34 dhe 35 shprehin qartë mënyrën se si përcaktohet paga e punonjësve në sektorin e arsimit. Ajo llogaritet duke përdorur formulën e pagës më të ulët të shumëzuar me faktorin e kompleksitetit për një punë. Aktualisht, paga më e ulët për shkallën më të ulët të kompleksitetit, e cila është edhe njësi llogaritëse në sektorin e arsimit, është 17.482 denarë bruto ose rreth 12.000 denarë në shumën neto, përkundër faktit se aktualisht paga minimale në nivel shtetëror është 20.175 denarë”, thonë ata.

Pas vendimit për rritje prej 10 për qind të pagave në sektorin publik, Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SAShK) ka kërkuar që pagat të përshtaten me pagën minimale në vend dhe më pas në pagën e dakorduar t’i shtohet rritja e planifikuar prej 10 përqind.

Ndryshe, sot ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në profilin e tij në Facebook ka ndarë të dhëna krahasuese për pagat në arsim dhe shkencë nga viti 2016 dhe 2023.

“Nëse një mësues i arsimit fillor kishte një pagë neto 20.300 denarë në 2016, në vitin 2023 merr 29.250 denarë, pra është rritje prej 44 për qind. Një profesor në arsimin e mesëm ka marrë 21.500 denarë dhe tani paga neto është rritur për 42 për qind, përkatësisht është 30.400 denarë”, ka thënë ministri.

Ai gjithashtu ka shkruar se në arsimin e lartë profesorët kanë pasur rritje të pagës së tyre neto për gati 50 për qind, gjegjësisht nga 34.350 denarë 7 vjet më parë, tani është 51.400 denarë. Këshilltarët shkencorë në institucionet publike shkencore tani kanë pagë neto prej 45.000 denarë, ndërsa në vitin 2016 ishte 34.450, që është një rritje prej 30 për qind.

SASHK-u vitin e kaluar ka protestuar për paga më të larta. Ata kanë arritur rritje prej rreth 4.000 denarë, e më pas në shkurt kanë marrë edhe 1.000 denarë. Ndryshe, paga bazë fillestare e mësimdhënësit në arsimin fillor është 29.000 denarë. Për SASHK-un, modeli i pagave i aplikuar në sektorin publik, me pikë dhe rritje lineare të pagave, nuk është i pranueshëm, por modeli i përqindjes, me koeficientë, është i pranueshëm për ta.