Në rrethana të jashtëzakonshme përfundon viti shkollor

Edhe pse duhej të ishte një ditë ku do rrumbullaksohej edhe një tjetër vit shkollor e ku do të kishte shumë përshëndetje mes shokëve dhe shoqeve, dita e fundit e vitit arsimor  2019-2020 i gjeti nxënësit jashtë bankave shkollore dhe u mbyll në heshtje. Për shkak të pandemisë me koronavirusin, hapësirat e shkollave kanë mbetur pa nxënës që nga data 11 mars, kur u vendos që nxënësit të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre me qëllim pengimin e shpërndarjes së virusit.  Mësimi për tre muaj ishte online, ndërsa me dekretet qeveritare u mundësua që mësimi online të konsiderohet formal. Gjatë këtyre tre muajve nxënësit dhe mësuesit mbanin orët online nëpër disa platforma për videokomunikim.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi gjatë pjesëmarrjes në emisionin e fundit “TV Klasa”, e cila që nga data 16 mars, transmetohej çdo ditë në Radio Televizionin e Maqedonisë, tha se dëshiron që nga 1 shtatori nxënësit të kthehen në bankat shkollore.

Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës

“Dëshirojmë nxënësit të kthehen në shkolla sepse mësimi aty nuk ka zëvendësim, sado të përpiqemi. Do të përgatitemi për çfarëdo lloj skenari, por dëshirojmë në kushte dhe rrethana normale të kthehemi në shkolla prej 1 shtatorit”

Ademi edhe në profilin e tij në Fejsbuk i uroi nxënësit për sukseset e arritura dhe diturinë e përfituar, duke iu dëshiruar pushim të këndshëm deri në fillimin e vitit të ri shkollor.

Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës

 “Nxënës të dashur, do të dëshiroja këtë vit shkollor, si vitet e kaluara, ta përfundonit në bankat shkollore, të buzëqeshur së bashku me shokët e shoqet! Por, ndonjëherë punët nuk shkojnë siç dëshirojmë ne… Edhe përkundër faktit se nuk mund të zëvendësohet mësimi në bankat shkollore, ju treguat interes dhe përkushtim maksimal të vazhdoni të mësoni nga largësia me ndihmën e prindërve, dhe nuk dyshoj se e keni arritur qëllimin”

Ky vit shkollor u mbyll në rrethana të jashtëzakonshme për mbi 270 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme dhe rreth 19 mijë nxënës të klasës së parë.

Burimi: Tv Shenja