Mësuesit ankohen për rënien e cilësisë në arsim, bëjnë thirrje për depolitizim dhe ndëshkim të përgjegjësve

Veteranët e arsimit mendojnë se cilësia e arsimit shqip në Maqedoni ka rënë dukshëm dhe se festa e 7 Marsit ke mbetur vetëm simbolikë. Rënien në këtë nivel, sipas ish-mësimdhënësit Hasan Jasharit, e ka sjellë politizimi i skajshëm i të gjithë niveleve të arsimit, mospasja e kushteve adekuate, mungesa e librave dhe kushteve.

“Natyrisht arsimi është i politizuar po që se kryetari i komunës urdhëron drejtorët që me SMS të shkojnë në tubime partiake ai është politizim parekselancë i arsimit. Drejtorët dhe arsimtarët janë peng të atij punësimi janë peng të kryetari të komunës, nënkryetarit të partisë dhe peng të partisë në pushtet, kjo njëherë e përgjithmonë duhet të ndërpritet”, tha Hasan Jashari, ish-mësimdhënës.

Për gjendjen e keqe të arsimit në vend pajtohet edhe mësimdhënësi Satki Ismaili, i cili thotë se gjendja mund të ndryshohet vetëm me depolitizimin e arsimit dhe ngritjes e vetëdijes shoqërore.

“Nëse ne ja bëjmë qefin vetes mund të ja bëjmë, por jo për fat të keq, arsimi ka rënie, është një arsim që duhet të përkushtohemi më gjatë. Nuk është vetëm 7 marsi që na jep një përkrahje, duhet më gjatë, pozita, gjendja e arsimit shqip, sidomos vitet e fundit, ka rënie dhe fajtorë jemi të gjithë ne dhe të gjithë faktorët që kanë ndikim janë se arsimi ka rënie, ka ngecje dhe duhet një sensibilizim shoqëror që të hapim sytë të gjithë faktorët që të ndikojmë që arsimi shqip të marr një rrugë të duhur. Politika është ajo që bën të gjithë ndryshimet dhe arsimin e mban në duar. Nëse nuk çlirohemi nga arsimi të bëjmë depolitizimin e arsimit do të kemi situatë më të vështirë se kjo që është”, thotë Satki Ismaili.

Mësimdhënësit thonë se edhe rezultat e dobëta të testeve PISA-s janë pasojë e mosndëshkimit të drejtorëve, arsimtarëve dhe mosndëshkimit të përgjegjësve të Ministrisë së Arsimit për mosfurnizimin në kohë me libra shkollorë. /TV21