Me 50 nxënës më pak nis procesi arsimor në shkollat e Shtipit

Vazhdon eksodi i të rinjve në lindje të Maqedonisë së Veriut. Gjysmëvjetori i dytë filloi me 50 nxënës më pak në shkollat ​​fillore dhe të mesme të Shtipit. Arsyeja është se së bashku me prindërit edhe nxënësit shkojnë jashtë shtetit.

Sipas udhëheqëses së Departamentit të Arsimit në Komunën e Shtipit, Snezhana Saneva, ky numër është alarmant dhe dëshpërues.

“Kemi të dhëna për fëmijët që mungojnë, pra që fatkeqësisht nuk do të vijojnë më në mësime. Shifrat tregojnë se nuk është një numër i vogël i nxënësve të shkollave të mesme dhe fillore. Në shkollat ​​e mesme kemi 26 nxënës të cilët kanë deklaruar se po largohen, kurse në shkollat ​​fillore 24 nxënës. Pra, në nivel komunal janë 50 fëmijë që nuk do të vijojnë mësimin”, tha Snezhana Saneva.

Saneva shtoi se nuk ka shkollë që është në gjendje të mirë, gjegjësisht numri i nxënësve që janë larguar jashtë vendit në këtë gjysmëvjetor të dytë sillet nga shtatë deri në dhjetë nxënës në secilën shkollë në Shtip.

“Kemi mungesë të nxënësve në shkollën “Goce Dellçev”, por prindërit atje ende nuk kanë sqaruar pse fëmijët nuk vijojnë mësimin. Ky numër është 25 nxënës, por shpresojmë që në këtë gjysmëvjetor të vazhdojnë mësimin, të kthehen në tavolinat shkollore dhe ta përfundojnë vitin shkollor rregullisht”, tha Saneva.

Vitin e kaluar shkollor, 81 nxënës nuk e kanë nisur mësimin në gjysmëvjetorin e dytë, pasi prindërit e tyre kanë kërkuar vërtetime për emigrim jashtë vendit.