Maqedonia e shekullit të 21, protesta nëse hapet paralelja shqipe

“Në shekullin 21 nxënësve shqiptar të Idrizovës akoma u mohohet e drejta e mësimit në gjuhën e tyre amtare. Ka 10 vite e më shumë që banorët shqiptar të komunës së Gazi Babës  kërkojnë me çdo kusht që fëmijët e tyre ti vijojnë mësimet në gjuhën shqipe. Ndërkaq sot prindërit maqedonas të komunës së Gazi Babës kanë paralajmëruar bllokim të autostradës, rrugëve rajonale dhe tenda përballë MASH, nëse hapet paralele shqipe në shkollë “Njegosh” në Idrizovë. Nga ministria e arsimit dhe shkencës kanë premtuar se për këtë rast po punohet dhe se do ti gjehet një zgjidhje së shpejti.  Inspektorati i Arsimit ka vlerësuar se momentalisht ka hapësira të mjaftueshme për të pranuar 13 nxënësit shqiptar të Idrizovës, për të zhvilluar mësimin shqip në klasën e gjashtë”.

Prindërit e nxënësve maqedonas të komunës së Gazi Babës sot nëpërmjet një letre të hapur kanë akuzuar ministrin e arsimit Jeton Shaqirin se realizon takime sekrete me prindërit shqiptarë dhe se fëmijet e tyre i shfyrtëzon si eksperiment. Ata kërkojnë që nxënësit shqiptarë  mësimet që nga klasa e 6 ti vijojnë në shkollën e fshatit Ognjancë sepse sipas tyre komuna ua mbulon të gjitha shpenzimet e transportit.

PRINDËRIT MAQEDONAS TË KOMUNËS SË GAZI BABËS

“305 nxënës ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase në shkollën fillore të Njegoshit, si në mësim klasor ashtu edhe në atë lëndor, keni lejuar të krijohet një problem i tillë me bojkot të plotë të mësimit për më shumë se 10 ditë për 10 nxënës shqiptarë të klasës së gjashtë të cilët nuk donin ta shfrytëzonin transportin falas dhe të ndiqnin mësimet në fshatin Ognjancë”.

Ata paralamëruan protestë për në orën 17:30.

Në shkollën fillore Njegosh, në fshatin Jurumleri në Komunën e Gazibabës, nxënësit shqiptarë mësojnë në gjuhë shqipe deri në klasën e 5. Nga klasa e gjashtë janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase. Prindërit dhe fëmijët e Idrizovës kanë realizuar protesta të shumta përmes të cilave kanë kërkuar hapjen e paraleles shqipe për klasën e gjashtë në shkollën fillore “Njegosh” . Kundër-protesta ka pasur edhe nga prindërit maqedonas të cilët vazhdimisht kanë potencuar se janë kundër hapjes së paraleleve shqipe sepse sipas tyre shkolla nuk ka hapësirë.

Ndërkaq inspektorati i arsimit ka vlerësuar se momentalisht ka hapësira të mjaftueshme për tu hapur paralele në gjuhën shqipe, ndërsa kryetari i Gazi Babës nuk lejon. Ministri i Arsimit ka paralajmëruar se do t’ia marrë kompetencat kryetarit të Gazi Babës. /SHENJA/