Ky vit shkollor do të fillojë më 1 shtator, ndërsa çdo vit pasues do të fillojë më 10 shtator

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vend sivjet kthehen në shkollë nga 1 shtatori, ndonëse kishte ide që viti shkollor të fillojë 10 ditë më vonë, gjegjësisht më 12 shtator, konfirmoi për Meta.mk ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. Ai bën të ditur se kjo praktikë e re është paraparë të futet nga shtatori i ardhshëm dhe viti shkollor në atë rast do të zgjasë deri më 20 qershor, transmeton Portalb.mk.

“Për këtë ide diskutuam pasi, në disa nga vendet tona të rajonit, si Shqipëri, Kroaci, viti shkollor nuk fillon më 1 shtator si këtu, por më vonë. Unë do të doja ta zhvendosja fillimin, po mendoj për këtë, edhe pse duhet të shohim se si do të pajtohet SAShK, sindikatat, si dhe institucionet e tjera që janë të lidhura me datat, për shembull, Qendra Shtetërore e Provimeve që është e lidhur me afate për shkak të numrit të madh të provimeve, përfshirë edhe dhënien e provimit të maturës shtetërore. Ndryshe, kondiseroj se është e mirë ideja për zgjatjen e vitit shkollor”, thotë Shaqiri për Meta.mk.

Nga data 1 shtator, mësimi sipas Konceptit të ri duhet të fillojë në klasat e dyta dhe të pesta. Për këto dy klasa, thotë ministri, ende nuk janë shtypur tekstet shkollore.

“Për sa i përket nëse do të arrijmë t’i sigurojmë tekstet në kohë, mund të them se do të ketë tekste dhe materiale mësimore për klasat e treta, të gjashta, të shtatë dhe të nënta. Tekstet e reja që do të shtypen për herë të parë, për klasat e para, të dyta, të katërta dhe të pesta, të gjitha procedurat kanë nisur në harkun kohor më të shpejtë. Pasi do të vonohen, e ngarkuam Byronë për Zhvillimin e Arsimit që të bëjë materialet përgatitore mësimore për tre muajt e parë deri sa të mbërrijnë tekstet shkollore. Ato materiale janë si tekstet shkollore, por kanë vetëm tema për tre muajt e parë”, thotë Shaqiri.