Pranimi i studentëve në Konviktin Studentor të Tetovës pritet të bëhet më 1 tetor të këtij viti. Edhe pse konkursi për pranim në konvikte studentore për vitin akademik 2023/24 ka mbaruar, për këtë konvikt pritet të shpallet konkurs i veçantë, pasi në rrjedhë janë disa procedura tjera, kështu njoftoi ministri i Arsimit – Jeton Shaqiri për Portalb.mk.
Konkursi për pranimin në konvikte për studentët nga vitet e dyta e lartë ishte i hapur nga 17.07.2023 deri më 31.07.2023. Mirëpo në këtë konkurs, konvikti i Tetovës nuk figuronte.
Sot, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri përmes një njoftimi njoftoi se nga 1 tetori në Konviktin e Tetovës do të qëndrojnë rreth 300 studentë dhe se i njëjti figuron në listën e konvikteve shtetërore si KSHS Tetovë ku studentët aplikojnë online.
Për këtë, Portalb.mk kontaktoi me ministrin, referuar asaj ku Shaqiri në njoftimin e tij thotë se konvikti i Tetovës figuron në listën e konvikteve shtetërore si KSHS Tetovë ku studentët aplikojnë online, ministri tha se kjo i referohet listës të cilën ka ministria ku procedurat kanë filluar më herët, duke ripërsëritur se për këtë konvikt do të shpallet konkurs i veçantë për pranim të studentëve.
“Konvikti është kompletuar nga të gjitha aspektet, është kompletuar i gjithë dokumentacioni për në Qeveri, dhe krijohet si institucion në Qeveri. Brenda kësaj kohe – rreth 20 ditësh konvikti do të jetë edhe i regjistruar në Regjistër Qendror dhe në gjithë institucionet tjera”, tha mes tjerash Shaqiri për Portalb.mk.
Maratonë premtimesh për konviktin studentor
Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.
Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.
Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.
Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.
Ndërkaq premtimi më i fundit është se konvikti do të lëshohet në përdorim në tetor të këtij viti për vitin akademik 2023/24.
Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.