Klasat e gjashta ende pa libra, arsimtarët po shërbehen me materiale nga koncepti i vjetër

Koncepti i ri mësimor solli shumë probleme si për nxënësit ashtu edhe për shkollat. Ndonëse sot jemi tre tetori, nxënësit e klasave të gjashta ende nuk kanë marrë në duar librat e nevojshëm për të ndjekur mësimin e rregullt. Nga udhëheqësitë e shkollave që kontaktuam dhe vizituam, asnjë nuk pranoi të flet para kamerave për gjenden faktike me librat. Nuk na refuzoi vetëm drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari”, Fitore Qirezi. Ajo për TV21 konfirmoi mungesën e librave për gjithë nxënësit e klasave të gjashta, ndërsa shtoi se mungesë të librave ka edhe për klasat tjera në lëndën e historisë, gjeografisë si dhe librat e gjuhëve.

Mjerisht, shtatori kaloi. Ende ballafaqohemi me mungesën e teksteve në përgjithësi. Mirëpo tani është problemi me konceptin e ri te klasat e gjashta. Mungojnë krejtësisht tekstet shkollore që janë me konceptin e ri. Por mungesën e librave e kemi pasur pjesërisht dhe për klasat tjera me programin e vjetër shkollor. Për klasët e shtata, gjeografia e historia gjithmonë ka pasur mungesë të këtyre librave, dhe kryesisht librat e gjuhëve”, tha Fitore Qirezi – Drejtoreshë e Sh.F “Adem Jashari”.

Për mungesën e librave dhe dorëzimin e tyre nëpër shkolla, dje foli ministri i arsimit Jeton Shaqiri. Ai tha se dorëzimi i librave do të bëhet gjatë kësaj jave e nëse është nevoja edhe gjatë vikendit.

“Më gëzon fakti se sot në një pjesë të shkollave ka dorëzim të librave për klasë të gjashtë, e e cila do të vazhdojë nesër, pasnesër deri në fund të javës pres që të gjitha librat të dorëzohen por në varësi prej kësaj, do të kërkojë nga operatori ekonomik që dorëzimi të bëhet edhe të shtunën edhe të dielën me qëllim që të gjitha librat t’u dorëzohen nxënësve”, deklaroi dje Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit.

Edhe me drejtorët me të cilët kontaktuam por nuk pranuan të flasin para kamerave, konfirmuan mungesën e librave si për klasat e gjashta, ashtu edhe për klasat e tjera pjesërisht. Madje, përpos mungesës së librave, shkollat përballen edhe me paralajmërime nga shtëpitë botuese se nuk guxojnë t’i kopjojnë librat, sepse në të kundërtën, do të përballen me kallëzime penale sipas ligjit për të drejtat e autorit. Ndërkohë arsimtarët po përpiqen që materialin mësimor ta mbulojnë me tekste nga programi i vjetër por edhe nga materialet që i kanë në dispozicion online. /TV21/