Gjysmëvjetori i ri me probleme të vjetra, nxënësit: Sërish përballemi me mungesë librash

Nxënësit filluan gjysmëvjetorin e dytë, por edhe kësaj radhe zvarriten problemet e vjetra. Shkollat janë pajisur me ngrohjen e nevojshme, por mungesa e librave edhe më tej shqetëson nxënësit.

Ata thonë se ka premtime se do të pajisen me librat që mungojnë, por deri atëherë do të gjinden me materiale të fotokopjuara për të përvetësuar aq sa munden njësitë mësimore.

“Për momentin më mungojnë libri i historisë, gjuhë maqedone, libri i gjuhës shqipe dhe gjeografia. Për këto shkruajmë, ose ndonjë nxënës që ka munguar duhet të merr shënime, por do të ishte më lehtë nëse i kishim pasur librat.”, – tha një nxënës.

“Librat që mungojnë në klasë janë gjuha angleze, maqedonishtja, matematika, gjuha shqipe dhe shpresoj se gjysmëvjetorin e dytë do të furnizohemi me libra dhe nuk do të ketë mungesë kaq të tepërt.”, – theksoi një nxënës.

“Nga ky gjysmëvjetor presim rregullimin e sallës, garderobës dhe gjithashtu të vijnë librat që na mungojnë, mua personalisht gjeografia dhe muzika, ka nxënës që i kanë të gjitha, por ka edhe nxënës që nuk kanë asnjë libër.”, – u shpreh një nxënës tjetër.

Programi nacional për ciklin e ulët, mësuesit: Tekstet kanë mangësi, duhen eliminuar

Problem shtesë për nxënësit e ciklit të ulët paraqet edhe koncepti i ri i mësimit sipas programit nacional. Organet kompetente nuk kanë konsultuar mësimdhënësit, potencon mësuesja, Senxhan Miftaraj dhe si pasojë janë evidentuar mangësi të shumta.

“Të gjitha shkronjat dhe fjalitë janë të botuar në fond të imët dhe kjo paraqet vështirësi në të pamur, pastaj është shkrim-leximi ku thuhet të lexohen fjalë apo fjali ku ne nuk i kemi kaluar ato shkronja që pastaj i marrim me realizimin e programit. Përparësia e kësaj platforme, ne si mësimdhënës të bëjmë hulumtime të marrim nga botime tjera e kemi lirinë e hulumtimit dhe të përdorim libra nga autorë të ndryshëm.”, – deklaroi mësimdhënësja, Senxhan Miftaraj.

Ditë më parë nga MASh njoftuan se këtë gjysmëvjetor do të ketë libra të reja për matematikë dhe shoqëri dhe shkollat do të pajisen edhe me libra të gjuhëve të huaja. Viti shkollor do të përfundojë më 14 qershor me ç’rast do të realizohen 180 ditë mësim, të vërtetuara sipas kalendarit edukativo-arsimor. (Flutura Latifi, TVM2)