Fëmijët në Angli kthehen në shkolla, për herë të parë që nga muaji janar

Fëmijët në Angli do të kthehen në shkollë të hënën për herë të parë që nga muaji janar, pasi qeveria ka filluar të lehtësojë masat e ashpra kufizuese falë vaksinimit masiv kundër coronavirusit.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, nxënësit e moshës pesë deri në 11 vjeç do të kthehen në bangat shkollore të hënën, derisa javën e ardhshme pritet edhe kthimi nxënësve në shkolla nga mosha 11 deri në 18 vjeç.

Lajmin e konfirmoi gjithashtu edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“Sot nxënësit në Angli po kthehen në shkolla. Rikthimi në objekte shkollore për nxënësit ka qenë përparësia jonë dhe hapi i parë i udhërrëfyesit tonë për t’u kthyer në normalitet”, ka deklaruar Johnson.

Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar ka raportuar deri më tani 4.2 milionë raste si pasojë e coronavirusit, si dhe 124 mijë viktima.