Epilogu për shkollën e Idrizovës deri në fund të javës, Shaqiri: Të mos dëmtohen nxënësit

Deri të premten, pritet të marrë një epilog përfundimtar rasti me 13 nxënësit shqiptarë të Idrizovës. Kështu paralajmëroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri duke shtuar se epilogu përfundimtar do të varet nga vendimi i Inspektoratit të Arsimit që këtyre ditëve duhet t’i dorëzohet dikasterit të Arsimit. 13 nxënësit shqiptarë akoma nuk kanë nisur klasën e gjashtë në vitin e ri shkollor për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të Komunës Gazi Babë nuk realizohet mësimi shqip nga klasa e gjashtë deri atë të nëntë. Ministri Shaqiri kujtoi komunën e Gazi Babës dhe prindërit e nxënësve maqedonas se zgjidhja afat shkurte është e patjetërsueshme ndërkohë që do të vijojë procesi për zgjidhjen afatgjate, ndërtimin e shkollës së re në Idrizovë.

“Tre ditë protestojnë nxënësit në gjuhën maqedonase, nxënësit në gjuhën shqipe protestojnë 26 ditë, në të njëjtën shkollë. Si zgjidhje afatgjatë që e kemi diskutuar me komunën është ndërtimi i shkollës së re në Idrizovë, kërkojmë mirëkuptim nga të dyja palët për zgjidhjen afat shkurte që duhet ta gjejmë sa më shpejtë, deri të premten pa dallim se janë nxënës maqedonas ose shqiptarë. Bëhet fjalë vetëm për një paralele, 13 nxënës të cilët kurrë nuk do të dëshiroja të jenë dëm në procesin arsimor për të tjerët që tashmë ndjekin mësimin në atë shkollë. Nëse ka hapësirë dhe mundësi dhe kjo konfirmohet nga Inspektorati i Arsimit duhet t’i pranojmë faktet dhe dokumentet. Nëse nuk ka mundësi dhe hapësirë të gjejmë zgjidhje afatshkurtër sa më shpejtë”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit.

Ndërsa 13 nxënësit shqiptarë kanë lënë fatin e tyre në duart e institucioneve përkatëse, prindërit e fëmijëve maqedonas sot kanë bojkotuar mësimin. Thonë se momentalisht në shkollën “Njegosh” nuk ka hapësirë për paralele shtesë prandaj paralelja e klasës së gjashtë në gjuhën shqipe është e pamundur të funksionojë. Nga Komuna e Gazi Babës sërish kanë përsëritur se paralelja shqipe për klasë të gjashtë nuk mund të hapet për shkak se shkolla në fjalë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për paralele shtesë. Komuna në fjalë, zgjidhjen e problemit e sheh në ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë dhe përkohësisht organizimin e transportit falas për në shkollën fillore të fshatit “Ognjancë” të komunës Petrovec. /Alsat.mk