Dita tretë e bllokimeve në komunën e Çashkës. Kundër hapjes së paraleles në gjuhën shqipe

Të pakënaqur që protesta e 22 nëntorit të vitit të kaluar para objektit shkollor nuk pati rezultat, përkatësisht kanë hasur në vesh të shurdhër në institucione, prindërit e nxënësve të SHFK “Todor Janev” nga Çashka, që janë kundër formimit të paraleles në gjuhën shqipe, tashmë tre ditë me radhë nga ora 7 deri në orën 10 në mëngjes po i bllokojnë hyrjet drejt komunës.

Për shkak të bllokimit të rrugëve tashmë tre ditë me furgon në shkollën e Çashkës nuk shkojnë fëmijët nga paralelja shqipe e klasës së parë por edhe nxënësit tjerë shqiptarë nga paralelet tjera.

Prindërit që protestojnë propozojnë që paralelja shqipe e klasës së parë të zhvendoset në një shkollë tjetër periferike në fshatrat e Komunës së Çashkës, ku banorët janë shqiptarë, por jo në Çashkë ku nuk ka të regjistruar asnjë shqiptarë.

Ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri, para një muaji në lidhje me kërkesat e tyre tha se në shkollë janë plotësuar të gjithë kushtet për formimin e paraleles në gjuhën shqipe.