Çerdhja në Tearcë, gati në pranverë

Në muajin mars ose në muajin prill pritet që të përfundojë ndërtimi i çerdhes në komunën e Tearcës. Çerdhja filloi të ndërtohet vitin e kaluar ku faza e parë ka përfunduar dhe faza e dytë është në përfundim e sipër. Kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri është shprehur se kjo çerdhe ndërtohet me mjete të IPA fondeve në koofinancim me komunën e Tearcës. Kyçja në rrjetin e ujësjellësin dhe rrjetin e elektrifikimit është në përfundim e sipër, nënvizon Neziri. “Tashmë jemi në përfundim të fazës së dytë, realisht sipas parashikimeve deri në fund të janarit të këtij viti gjithçka duhet të përfundojë në fazën e dytë dhe kjo fazë ka të bëjë me kompletimin e objektit fizik, plotësimin e të gjitha kërkesave teknike duke përfshirë, ku kemi qenë edhe ne koofinancues të stacionit të filtrimit të ujërave të zeza që është përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar. Janë në përfundim e sipër disa punime finale, siç janë kyçja në rrjetin e furnizimit të ujit të pijshëm dhe kyçjen e objektit në rrjetin e elektrifikimit. Pra, mendojmë se të gjithë këta punë duhet që të mbyllen në muajin mars ose në muajin prill të këtij viti”, tha Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

Pajisjet e brendshme për çerdhen janë siguruar, kurse kjo çerdhe që ndërtohet në fshatin Përshefcë, është përmes energjisë së rinovueshme sipas të gjitha standardeve ekologjike. Neziri, shpreson se të gjitha afatet e parashikuara do të respektohen dhe çerdhja e do të jetë e gatshme që këtë vit të pranojë fëmijët. “Tashmë janë bërë të gjitha pajisjet, duke filluar nga shtretërit, karriget, tavolinat, mjetet e punës, mjetet e kuzhinës, pompat e ajrit që do të shfrytëzojnë energjinë e rinovuar që plotëson standardet ekologjike, pra që është një nga ndërtimet ku shfrytëzohen inovacionet tejet moderne. Pra, të gjithë këta besojmë në afatet e parashikuara që në pranverë të jetë gati”, deklaroi Neziri. Investimet në këtë çerdhe janë përmes fondeve IPA, pra mjete evropiane, kurse projekti është fituar nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Kapaciteti në sipërfaqe i çerdhes në Tearcë është rreth 2100 metra katrorë ku do të mund të qëndrojnë mbi 170 fëmijë. Në të ardhmen me çerdhen do të udhëheq komuna e Tetovës, kurse Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes bllok-dotacioneve do të mundësojë punësime në këtë çerdhe. Kohë, më parë Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, tha se investimi në krijimin e më shumë hapësirave për edukim parashkollor krijon mundësi që fëmijët të kenë kushte moderne për të patur një zhvillim të hershëm edukativ si parapërgatitje për fillimin e procesit mësimor. (koha.mk)