Abetarja mbarëshqiptare lë jashtë shqiptarët e Maqedonisë

 Ministritë e Arsimit në Kosovë dhe Shqipëri së fundmi kanë publikuar konkursin për tekstin e Abetares së Unifikuar mbarëshqiptare, e cila do të përdoret në Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë, nga kjo Abetare janë anashkaluar shqiptarët që jetojnë në trojet tjera të rajonit. Autori i Abetares shqipe në Maqedoninë e Veriut, njëherësh  profesor universitar, Avzi Mustafa, për gazetën KOHA thotë se kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, pasi siç tha ai, kemi një gjuhe dhe jemi një komb dhe pse mos të kemi një Abetare. “E mira e kësaj është se kësaj here nuk do të jetë një Abetare alternative dhe sipas dëshirës së mësimdhënësit, por do të jetë Abetare për të gjithë nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria. Ndërkohë sa u përket nxënëseve shqiptarë në Maqedoni, edhe pse është kërkuar vazhdimisht nga shoqata të ndryshme dhe organizata, kjo kërkesë nuk është përfillur nga institucionet kompetente”, thotë me keqardhje Mustafa. Ai ka shpjeguar se Abetarja mbarëshqiptare ka aspekt edukues, kulturor dhe pedagogjik dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si pengesë për ta miratuar një Abetare të tillë.

Gjithashtu Mustafa, ka folur edhe për pjesën e pas-Abetares, në të cilën ka tekste të përzgjedhura, vjersha dhe tregime me karakter edukues dhe moral, që është edhe qëllimi i çdo procesi edukativo-arsimor. Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë që të lidh një marrëveshje institucionale me Shqipërinë dhe Kosovën me atë që, edhe nxënësit këtu, të mos privohen nga kjo Abetare mbarëshqiptare.

Të pyetur nga gazeta KOHA rreth Abetares mbarëshqiptare, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë potencuar se shërbimi pedagogjik, i cili është organ në kuadër të MASH-it, në përputhje me rregulloret ligjore ka kompetencë të financojë përgatitjen ose prokurimin e teksteve shkollore për arsimin fillor. “E gjithë kjo bëhet në përputhje me planprograme të përgatitura nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrës për Arsim Profesional”, shprehen nga MASH.

Në një postim në rrjetin social në Facebook, ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se ka filluar jetësimi i Marrëveshjes për Abetaren e re të përbashkët cilësore dhe unike, që do ta përdorin si tekst të parë të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ata mësojnë shqip. “Ashtu siç kemi premtuar, në vitin e ri shkollor, vogëlushët tanë do ta kenë në dorë Abetaren e re! Ky libër simbol, le të jetë një dhuratë për vogëlushët tanë në 110 vjetorin e Pavarësisë”, ka thënë Nagavci. Nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MSHTI) e Kosovës për gazetën KOHA kanë thënë se marrëveshja për hartimin e Abetares së përbashkët është bërë ndërmjet MASHTI e Kosovës dhe MASH e Shqipërisë, prandaj edhe konkursi është shpallur sipas marrëveshjes mes dy ministrive. “Megjithatë nuk e përjashtojmë mundësinë që edhe me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të dakordohemi për një tekst të përbashkët. Përndryshe libri Abetare do të jetë në duart e vogëlusheve shqiptarë kudo ku jetojnë në shtator të këtij viti”, theksojnë nga MSHTI e Kosovës për gazetën KOHA.

Ndryshe, synimi për ta bërë një Abetare për të gjithë shqiptarët ka qenë vazhdimësi e premtimeve të politikanëve si nga Shqipëria, Kosova ashtu edhe nga ata të Maqedonisë së Veriut. Por një gjë e tillë u arrit vetëm gjatë vitit të kaluar dhe pritet nga shtatori i këtij viti – nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria të kenë në duar të njëjtën Abetare. (koha.mk)