7 MARSI/ Sot shënohet Dita e mësuesit, urime të gjithë mësimdhënësve

Në mbarë trojet shqiptare, sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit. Më 7 Mars të 1887-së, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe. Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike. Mësues dhe drejtori i parë i mësonjëtores ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje u konsiderua një fitore për popullin shqiptar, pasi deri me atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyrë të fshehtë. Që nga kjo ditë, “Mësonjtorja e parë” hyri në histori si pionierja e arsimit kombëtar dhe dita e çeljes së shkollës si festë, duke bërë kështu që çdo 7 Mars të nderohen kontribuuesit më të mëdhenj në edukimin e brezave. Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, ajo qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.