Në Qendrën Kulturore për të Rinj mbrëmë u dha premiera e shfaqjes “Fjala që fillon me M” në regji të Fatos Berishës. Kjo shfaqje ishte një bashkëpunim mes aktorëve të Self-Made-Shkup dhe Teatrit Urban-Prishtinë. Shfaqje është një dramaturgji e re, me dialogje shumë të drejtëpërdrejta dhe me një humor të zi e cila i kishte munguar skenës tonë, shkruan Portalb.mk.
Në botën moderne të bombarduar me imazhe dhe informacione, kjo shfaqje erdhi nga bota e dramave të autorit Allan Boll. Drama ishte e ndarë në tre akte, ku udhëtohej me personazhe që perceptojnë imazhin e vetes, suksesit dhe pozitat e gjinive nga prizma e kulturës së konsumerizimit bashkëkohor.Shfaqja “Fjala që fillon me M”
“Është hera e parë që punova me këtë grup të rinjsh dhe më sollën një kënaqësi, entuziazëm dhe një energji shumë të mirë që ndikoi edhe tek unë gjatë punës. Në fillim u përballëm me vështirësi për gjetjen e hapsirave për t’i realizuar provat, por, më pas me ndihmën e drejtoreshës Dijana Toska dhe QKR-së u mundësua realizimi i shfaqjes.” u shpreh Fatos Berisha.
Fatosi gjithashtu theksoi që kjo shfaqje do të vazhdohet të jepet në Shkup dhe qytete të tjera në Maqedoninë e Veriut, po edhe në Kosovë. Kjo ishte hera e parë që ai punoi në një shfaqje në vendin tonë, por, ka pasur raste kur ka ardhur me shfaqje të tij si mysafir. Aktorët e shfaqjes ishin Gëzim Zherka, Blerta Gubetini, Gentiana Ramadani dhe Eldin Shiroki.
“Ne si grup jemi munduar që të ndërtojmë një shfaqje që i transmeton të gjitha emocionet e mundshme. Personazhi im në shfaqje është një grua e guximshme, me vetbesim e cila punon shumë për t’i arritur të gjitha ambiciet e veta por, mbi të gjitha është një feministe e vërtetë.” tha Blerta Gubetini, aktorja nga Prishtina.
Shfaqja u punua për shtatë muaj dhe Eldin Shiroki shtoi që gjatë provave ndjehej skeptik se si do pritej shfaqja nga publiku, por, pas mbarimit të premierës nëpër korridore dëgjoheshin vetëm komente positive. Datë për reprizë të shfaqjes ende nuk ka, por, Berisha shpreson që në mars të jepet edhe një herë shfaqja.