SENSORË NË OBJEKTE/ Do të kërkohen ndotësitë e ajrit në Shkup

Këshilli i Qytetit të Shkupit e pranoi amendamentin e këshilltarëve të grupit Qytet i Gjelbër Human dhe mori përsipër të investojë 700.000 denarë nga buxheti i qytetit, për të vendosur hiper-rrjet të sensorëve për matjen dhe përcaktimin e lokacioneve të ndotjes së ajrit në kryeqytet. Me këto fonde do të duhet të vendosen qindra sensorë për matjen e ndotjes së ajrit në institucionet e qytetit dhe shkollat ​​e mesme, por edhe në komunat ku nuk ka asnjë stacion matës, siç është Shuto Orizari, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Këshilltari i QGJH dhe aktivisti mjedisor, Gorjan Jovanovski thotë se qëllimi i hiper-rrjetit është që të zbulojmë se prej nga vjen ndotja e ajrit dhe ta parandalojmë më lehtë. Sensorët, ndonëse me buxhet të ulët, kanë një devijim më të vogël se 10 mikrogramë për metër kub, që do të thotë se japin rezultate të sakta prej të cilave mund të nxirret informacioni i kërkuar.

“Ky lloj sensorësh përdoret kudo në botë, ndërsa një kohë të gjatë i kemi edhe tek ne dhe matjet e tyre mund të monitorohen përmes aplikacionit AirCare – Air Quality App. Natyrisht, këto të dhëna nuk do të përdoren për qëllime kërkimore shkencore, si ato që fitohen me monitorimin shtetëror, por do të japin informacion mjaft të fortë, veçanërisht për atë që është qëllimi ynë, të alarmojmë nëse ka rritje të ndotjes së ajrit në ndonjë vend dhe ashtu të ndihmojnë të zbulohen ndotësit në qytet”, thotë Jovanovski.

Ai vë në pah se, fakti që krahas këtij amendamenti për rrjetin e sensorëve, Këshilli ka pranuar edhe katër të tjerë, nga 33 që i ka paraqitur QGJH, është një fitore e vogël, por domethënëse. Thekson se nuk do të lejojnë ëto projekte të mos realizohen dhe mjetet të ridedikohen për diçka tjetër.

“Jemi të vetëdijshëm që pranimi i amendamentit nuk do të thotë se edhe do ta realizojnë projektin. Por, ne nuk do të tërhiqemi dhe do të monitorojmë vazhdimisht progresin. Tashmë kemi organizuar një takim me Sektorin për mjedis jetësor dhe jemi të gatshëm që me përvojën tonë të ndihmojmë në përcaktimin e specifikave të pajisjeve që do të duhet të blihen”, tha Jovanovski.