Kryeqytete të Kulturës Evropiane për vitin 2022 janë qyteti serb Novi Sad, qyteti lituanez Kaunas dhe qyteti Esh në Luksemburg. Programi i pasur i ngjarjeve kulturore do të fillojë së pari në Novi Sad më 13 janar, me programin Pritja 7530. Shpallja për Kryeqytet të Kulturës Evropiane do të shënohet me shfaqjen multimediale “Zeniteum:: 2022” nga regjisori Dragan Zhivadinov në një nga bulevardet kryesore në Novi Sad, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Gjatë hapjes solemne, më 13 janar do të zhvillohen ekspozita, koncerte dhe shfaqje në më shumë se 40 lokacione të ndryshme në Novi Sad. Gjithashtu, gjatë muajve në vijim, kryeqyteti i Vojvodinës do të presë mbi 400 artistë nga Serbia dhe Evropa, të cilët nëpërmjet ngjarjeve të shumta kulturore dhe artistike do të promovojnë trashëgiminë e shkencëtarëve Nikola Tesla, Mileva Mariq Ajnshtajn dhe Milutin Milankoviq.
Përveç Novi Sadit, hapja solemne të programit në kuadër të Kryeqytetit të Kulturës Evropiane është planifikuar për 22 janar në qytetin lituanez Kaunas. Ceremonia e hapjes në Esh në Luksemburg do të bëhet më 26 shkurt dhe titullohet “Remix”.
Në Novi Sad, programi “Pritja” filloi të realizohet më 31 dhjetor të vitit të kaluar dhe do të zgjasë deri më 16 janar të këtij viti. Nga data 1 shkurt deri më 20 mars është planifikuar të realizohet programi “Migrimet”, nga data 20 mars deri më 15 maj “E ardhmja e Evropës”, ndërsa programi “Heroinat” është planifikuar për periudhën nga 16 maji deri më 12 qershor.
Programi “Kalaja e Paqes” do të zhvillohet nga data 17 qershor deri më 17 korrik, ndërsa aktivitetet e programit “Deti Danub” janë planifikuar për periudhën nga 22 korriku deri më 21 gusht. Programi “Kaleidoskopi i Kulturës” është planifikuar për periudhën 1 shtator deri më 7 tetor, ndërsa “Evropa Ndryshe?“do t’i prezantohet publikut evropian me ngjarjet nga 8 tetori deri më 27 nëntor.
Në kuadër të të gjitha këtyre programeve, në Novi Sad janë paraparë qindra aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, ndërsa bileta për disa nga manifestimet tashmë janë nxjerrë në shitje për të gjithë artdashësit e interesuar, të rinj dhe të vjetër.