Ndotja e ajrit në Shkup këtë dimër mbetet problem i madh për qytetarët, përkundër faktit se statistikat zyrtare nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor tregojnë ndotje pak më të ulët të ajrit si vlera mesatare krahasuar me sezonin e dimrit të kaluar, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Të dhënat nga stacionet matëse të vendosura në kryeqytet tregojnë se në dhjetor 2020 kishte më shumë ndotje të ajrit krahasuar me të njëjtin muaj në 2019. Madje 24 ditë nga muaji i fundit në vitin 2020, përqendrimi i grimcave PM-2.5 në ajër në stacionin matës në Qendër ishte mbi përqendrimin maksimal të lejuar, që është 25 mikrogramë për metër kub.
Në stacionin matës në Karposh, në dhjetor 2020, vlera e lejuar e grimcave PM-2.5 u tejkalua gjatë 21 ditëve. Të dhënat nga raporti mujor i botuar në https://air.moepp.gov.mk/ tregojnë se përqendrimi i grimcave PM-10 në ajër në stacionin matës në Gazi Baba për 15 ditë në dhjetor 2020 ishte mbi mesataren e lejuar përqendrimi ditor i këtyre grimcave nga 50 mikrogramë për metër kub.
Nëse nxjerrim një mesatare për muajin dhjetor, rezulton se përqendrimet mesatare të grimcave PM-2.5 dhe PM-10 në stacionet matëse në Qendër, Karposh dhe Gazi Babë në 2020 dhe 2019 tejkaluan vlerat kufitare të lejueshme të këtyre substanca të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Shkupit.
Sidoqoftë, një shpresë e vogël në problemin e madh me ndotjen e ajrit në Shkup janë të dhënat për janarin e vitit 2021, të cilat tregojnë ulje të konsiderueshme të grimcave të rrezikshme PM-2.5 dhe PM-10 në ajër krahasuar me të njëjtin muaj në vitit 2020. Pavarësisht kësaj, si mesatare për janarin, ato janë edhe mbi vlerat kufitare të lejuara edhe këtë vit.
Përqendrimi mesatar ditor i grimcave PM-2.5 në stacionin matës Qendra për ditët e Janarit 2021 ishte 36.14 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Janar 2020 kjo shifër ishte rritur në masë alarmante 93.98 mikrogramë për metër kub. Në stacionin matës Karposhh, mesatarja e grimcave PM-2.5 për janar 2021 ishte 35.51 mikrogramë për metër kub, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar mesatarja për të gjithë muajin ka qenë 91.69 mikrogramë për metër kub.
Edhe në rastin e grimcave PM-10, në stacionin matës në Lisiçe, përqendrimi mesatar ditor i grimcave PM-10 në janar 2021 ishte 74,34 mikrogramë për metër kub, ndërsa në janar 2020 u shënuan rezultate marramendëse 138,05 mikrogramë për metër kub si mesatare për të gjitha ditët e muajit.
Përkundër faktit se muaji i kaluar ishte më i lehtë për të marrë frymë në Shkup krahasuar me janarin e dimrit të kaluar, të dhënat nga stacionet matëse të Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor tregojnë të dhëna shqetësuese.
Kështu, për 19 ditë në janar 2021, përqendrimi i grimcave PM-2.5 në ajër në stacionin matës në Qendër ishte mbi vlerën e lejuar, kurse numër identik i ditëve me përqendrim të rrezikshëm të këtyre grimcave kishte në Karposh. Lidhur me grimcat PM-10, edhe për 17 ditë në Janar 2021, në stacionin matës në Lisiçe kishte tejkalim të përqendrimit mesatar ditor të lejuar të grimcave PM-10 prej mbi 50 mikrogramë për metër kub.
Ndotja e ajrit është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen banorët e kryeqytetit. Rritja e vazhdueshme e numrit të automjeteve në rrugët e Shkupit, djegia ilegale e zjarreve në vende të hapura, ndotja nga objektet industriale e mbi të gjitha, ngrohja e familjeve me energji jo-ekologjike, marrin “tatimin” e tyre në ndotjen e ajrit kryesisht gjatë muajve të dimrit.