Ndërsa Stambolli përballet me masa të shtuara kundër COVID-it pjesë të ndryshme të qytetit janë shndërruar në hapësira arti, vepra që kanë për qëllim të mbajnë gjallë shpirtin e njerëzve në kohë të errëta.
Në zemër të Stambollit, shkëlqimi i dritave është në kontrast me atmosferën e zymtë që ka sjellë pandemia.
Aktivitetet argëtuese ka muaj që janë ndaluar.
Por një instalacion me dhjetra vepra arti synon të sjellë dritë dhe shpresë në qytet.
“2020-a ishte vit i errët me shumë pasiguri dhe vështirësi nga COVID-19. Prandaj donim të bënim diçka pozitive, diçka të ndritshme dhe të gëzueshme. Çdo vepër arti ka kuptim të ndryshëm. Nëse e analizoni do të shihni më shumë sesa dritë”, thotë Ayca Okay nga Fondacioni Bashkëkohor i Stambollit.
Shfaqjet e dritave të punuara nga 50 artistë mund të shihen rreth qytetit ndërsa ato ndriçojnë qiellin mbi Stamboll.
Instalacioni, i mbështetur nga bashkia e Stambollit, ndihmon financiarisht komunitetin e artistëve të cilët janë goditur nga pandemia.
Kjo është edhe një mundësi për artistët që të shprehen.
“Fillimisht pjesa ime ishte pjesë e projektit ‘Ndiz errësirën kundër dhunës ndaj grave’. Në këtë kohë pandemie, është me rëndësi që të projektojmë dritën e artit tek njerëzit dhe të sjellim pak shkëlqim në këto ditë të errëta me këtë ekspozitë”, tha Emre Okcuer, artiste.
Instalacioni po ndihmon banorët ta harrojnë për një çast realitetin e pandemisë.
“Jam e lumtur që në vendin që unë e quaj shtëpia ime, ekziston ky nivel i vetëdijes dhe ky nivel komunikimi me publikun e gjerë”, thotë Idil Uael.
Normalisht në këtë periudhë restorantet e Stambollit do të ishin plot njerëz, por ato janë mbyllur prej muajsh.
Fillimi i vitit të ri e gjen qytetin nën masa edhe më të rrepta.
Për banorët e Stambollit, instalacioni ofron dritë në kohë të errëta. /VOA/
blob:https://www.zeriamerikes.com/b917d4fd-9aaa-4963-a0e3-4fba100b207b