Në prag të Ditës së Alfabetit, u promovua videoja e parë 3D kushtuar alfabetit shqip për të gjithë fëmijët. Stella dhe Sani janë heronjtë e animacioneve të para 3D në gjuhën shqipe dhe kanë për qëllim edukimin e më të rinjve duke krijuar material me cilësie të lartë, me çka do afirmohet gjuha amtare, si dhe do të zhvillohet imagjinata fëmijërore me muzikë dhe lojëra adekuate për moshën e tyre, transmeton Portalb.mk.
Projekti shpaloset në prag të Ditës së Alfabetit, 22 nëntor, me një video origjinale e cila pritet të jetë kënga e preferuar e çdo fatosi.
“E pritëm këtë datë për të filluar projektin Stella dhe Sani që nisma të ketë jehonë edhe më të madhe dhe Dita e Alfabetit në vitin 2020 të festohet me një këngë dhe video të veçantë për shkronjat tona të arta. Përpos kësaj video, në vijim do ketë edhe video të tjera që përfshijnë: mësimin për kafshët, nxitja e shprehive për higjienë personale dhe rruajtjen e mjedisit jetësor, shoqëri dhe bashkëjetesë multietnike, tolerancë dhe miqësi, mësim i ngjyrave, sendeve, rrethinës etj. – shprehet Bleta Begu, një nga udhëheqëset e projektit.