Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi nga Shqipëria janë fitues të sivjetmë të Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.
Çmimi Shtetëror “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Para se të ndajë çmimet, kryetarja e Këshillit për ndarjen e çmimit “22 Nëntori”, profesoresha Gëzime Starova tha se gjuha dhe shkrimi jo vetëm që janë mjetet më të forta për ruajtjen dhe kultivimin e unitetit të një kombi, por gjithashtu janë faktor të rëndësishëm në realitetin shumëkulturor të vendit.
“Sot ne me të drejtë theksojmë se diversitetin etnik dhe gjuhësor në shoqërinë tonë e shohim si një pasuri të përbashkët, vlerë kjo që e kemi pranuar si realitetin tonë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Starova.
Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.
“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.
Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.
“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe apo Kongresi i Manastirit shënon mbledhjen e dijetarëve shqiptarë që u zhvillua më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë kongres ishin të pranishëm delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga e gjithë bota, të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.
Për popullin shqiptar, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit 20, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare.