Sot në një konferencë për mediat, të organizuar nga Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, bashkë me Universitetin “Nënë Tereza” – Shkup, IN Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës – Shkup, Shoqata Qytetare “Shkupjania Nënë Tereza” – Shkup dhe Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” – Strugë, u shpalosën qëndrimet pas reflektimit të Qytetit të Shkupit, në lidhje me reagimet për shlyerjen e gjurmëve të shtëpisë së familjes Bojaxhiu në Sheshin e Shkupit.
Me këtë rast, drejtori i Institutit, dr. Skender Asani, u shpreh:
“Ne jemi sot këtu që t’ju kumtojmë se – për fat të mirë të të gjithëve – Qyteti i Shkupit ka reflektuar dhe ndonëse bëhet fjalë për një pronë të privatizuar padrejtësisht dhe në kushte të tjera, është arritur të gjendet një zgjidhje, duke mundësuar hapjen e një shtegu për të vendosur lule te pllaka përkujtimore e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, si dhe për përcaktimin e vijave të themeleve të shtëpisë Bojaxhiu.
Duke falënderuar Qytetin e Shkupit dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, ne e përshëndesim këtë vendim dhe shpresojmë që mos të ketë nevojë të shtrohet më kjo çështje.
E kur jemi këtu, duam ta përmendim edhe një fakt tjetër, që është po i aq i rëndësishëm. Ky bredh, që është në këtë park, në të vërtetë është bredhi që Nëna Terezë më 1980 – gjatë vizitës së saj në Shkup – e ka mbjellë me duart e saj, duke e shënuar pikën ku dikur ka qenë shtëpia e saj. Prandaj, duke i pasur parasysh këto elemente, ne në të ardhmen do të përpilojmë një elaborat që do u dorëzohet institucioneve përkatëse të kulturës që kjo zonë të shpallet e mbrojtur dhe ajo të mos mund të rrezikohet më nga askush në të ardhmen.
Figura e Nënë Tereza është pasuria më e madhe shpirtërore që mund ta ketë një shtet si ky i yni për faktin se ajo prej këtu doli në botën e madhe, ku i shpërfaqi të gjitha vlerat më kulmore të humanizmit dhe solidaritetit, prandaj kërkojmë që institucionet tona të gjejnë një modalitet ligjor për ta shpallur trashëgiminë e saj shpirtërore e materiale aset kombëtar nën mbrojtjen e shtetit.
Themelet e shtëpisë së Nënës Terezë janë pika mbase më e rëndësishme e historisë së një personaliteti që e ka nderuar më shumë se askush tjetër qytetin tonë në botë, ndërsa – përveç tjerash – ajo është pika e vetme e pelegrinazhit në Shkup, si dhe një pikë e rëndësishme turistike e Kryeqytetit. Prandaj, duke i pasur në konsideratë këto fakte, ne do të jemi këtu gjithnjë për ta afirmuar këtë ide, ndërsa jemi fort të bindur se edhe autoritetet do të jenë po kaq të interesuara për këtë.
E derisa të gjithë jemi në favor të promovimit të personalitetit të figurës dhe veprës së Nënës Terezë, në frymë të dashurisë e mirëkuptimit që ajo e promovonte në botë, kërkojmë që edhe teksti i pllakës përkujtimore këtu ta reflektojë respektin tonë të ndërsjellë qytetar, si dhe përkufizimin ligjor për përdorimin e gjuhëve në Kryeqytetin tonë.
Mbrojtja e figurës dhe veprës së Nënë Terezës nuk kërkon kurrfarë protagonizmi shoqëror, për arsye se mbrojtja më e mirë që mund ti bëhet asaj është qasja konstruktive e gjithë neve, duke përfshi edhe mediat, si ato në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë maqedonase, të cilat gjatë gjithë këtyre ditëve ishin në nivel të lakmueshëm të profesionalizmit dhe nuk lanë kurrfarë hapësire keqkuptimi publik. Kjo qasje profesionale meriton një duartrokitje nga gjithë ne që ishim këtyre ditëve pjesëmarrës në këtë debat konstruktiv”.