“Korrupsioni vret” – është titulli i projektit të implementuar nga Shoqata për Promovimin e Arteve Multimediale INVI IDEA me qendër në Gostivar. Përmes video-porosive dhe dokumentarit hulumtues cilësor, ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht rajonit të Pollogut, për pasojat fatale të korrupsionit. Sipas kryetarit të shoqatës, Burim Bilalli, qëllimi i projektit është të arrihet një vetëdije dhe perceptim më i avancuar i qytetarëve për praninë e korrupsionit dhe nevojën për të dënuar rastet dhe praktikat e korrupsionit. “Ne synojmë ta arrijmë këtë përmes produkteve multimediale, pasi këto produkte konsumohen nga një audiencë më e gjerë. Përmbajtjet multimediale do të transmetohet në mediat kombëtare dhe lokale. Projekti përfshin një dokumentar dhe të paktën 10 video sensibilizuese të shkurtra për të rritur ndërgjegjësimin për dëmin që shkakton ky fenomen negativ në një shoqëri dhe në një shtet “, thotë Bilalli. Një tjetër synim i projektit, është të trajnojë gazetarët se si të raportojnë për korrupsionin, ndërsa në të njëjtën kohë t’i trajnojë ata se si të përdorin sa më mirë gazetarinë si një mjet për të luftuar korrupsionin.