Integrimi i robotëve në procesin e prodhimit është i shtrenjtë, por në momentin kur fillon të funksionojë, zakonisht janë më të lira se puna njerëzore.
Pandemia me koronavirusin në vendet më kritike siç janë Kina, Italija dhe Spanja, tani më ka treguar se robotët dhe sistemet autonome robotike ngadalë, por në masë të madhe mund t’i kryejnë të njëjtat punë që i kanë njerëzit në vendet e tyre të punës, vetëm pa rrezik për shëndetin njerëzor.
“Njerëzit zakonisht thonë se dëshirojnë kontakt me njerëz, por këtë dëshirë virusi e ka ndryshuar. Ai edhe më tej do të vazhdoj t’i ndryshoj zakonet dhe prioritetet e konsumatorëve dhe shfrytëzuesve të shërbimeve, që do të hapte mundësi të reja për automatizim”, vlerëson futuristi Martin Ford, i cili më herët ka punuar në gjetjen e mënyrave se si robotët do të integrohen në ekonominë.
Kompanitë e mëdha dhe të vogla në botë, gjithnjë e më tepër i shfrytëzojnë robotët që të mund në mënyrë efikase t’i zbatojnë masat për mbajtjen e distancën mes të punësuarve të cilët duhen fizikisht të jenë prezent në vendin e punës. Robotët shfrytëzohen për kryerjen e obligimeve e atyre punëtorëve të cilët nuk mund të kryejnë punën nga shtëpia”, shkruan BBC.
Kështu për shembull rrjeti më i madh i shitoreve në SHBA, “Walmart”, shfrytëzon robotë për pastrimin e dyshemeve. Robotët në Korenë e Jugut shfrytëzohen për matjen e temperaturave të pacientëve edhe për shpërndarjen e mjeteve për dezinfektim.
Dhe për derisa ekspertët paralajmërojnë se masat për distanca sociale do të duhet të mbesin në fuqi edhe vitin e ardhshëm, robotët mund të bëhen shumë më të kërkuar.
Kështu kompania daneze e cila prodhon robotë për dezinfektim të rrezeve UV “UVD Robots”,gjatë kohës së pandemisë ka shitur qindra robotë në spitalet në Kinë dhe Evropë.
Shitoret dhe restorantet të cilët ofrojnë ushqim për në shtëpi, gjithashtu, gjithnjë e më tepër po i shfrytëzojnë robotët. Robotët gjithashtu mund të pastrojnë edhe shkollat edhe kancelaritë. Ekspertët pohojnë se edhe për robotët do të kenë më shumë punë, kur bizneset e stopuara do të startojnë me punën.
Megjithatë ekzistojnë disa ndalesa. Kështu për shembull regjistrat automatikë të parave në dyqane duhet të jenë në mbikëqyrje nga njerëzit, sepse sistemet e tilla nuk punojnë në përsosshmëri dhe prishen, dhe për këtë shkak blerësit i shmangen.
Industria e ushqimit, për shkak kujdesit për shëndetin, gjithashtu është e përshtatshme për shfrytëzimin e robotëve. Restorantet për ushqim të shpejtë si „McDonald’s“, kanë filluar me testimet e robotëve në kuzhinë.
Kompanitë siç janë “Amazon” dhe e përmendura “Walmart” tani më “punësojnë” robotë, të cilët kontribuojnë në rritjen e efikasitetit të tyre, ndërsa koronavirusi mund të ndikoj në numrin e tyre dhe angazhimet shtesë në paketimin dhe dërgimin e porosive.
“Kjo nga njëra anë mund ti ndihmojë punëtorët të cilët për momentin në punë nuk mund të zbatojnë masat e distancimit, por nga ana tjetër kjo do të mund të sjell largimin e tyre nga puna. Kur kompania njëherë do ta zëvendësoj punëtorin me robot, shumë vështirë se do ta kthejë. Integrimi i robotëve në procesin e punës kushton shumë para, por kur një herë fillon të funksionojë, atëherë zakonisht është më e lirë se punëtori”, konstaton BBC.
Burimi: BBC
Përshtati: Schoolture.info