“Tre tenorët” shqiptarë shkëlqyen në Operën e RMV-së, por pritën më shumë publikë (VIDEO)

Në Operën dhe Baletin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), dje u realizua aktiviteti i katërt i festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”,“Tre tenorët”. Për shkak se Skena solli tenorë dhe instrumentistë të shquar, pritshmëritë e organizatorëve dhe pjesëmarrësve ishin – salla përplot, por kjo nuk ndodhi, transmeton Portalb.mk.

Performuan tre tenorët, Josif GjipaliKastriot Tusha dhe Enea Cerashi,violinisti Zeqir Sulkuqi, ndërkaq dirigjoi Leonardo Kuadrini

Sallën plotë e kishte pritur edhe tenori, Kastriot Tusha, i cili derisa ishte në skenë, tha: “Prita që salla të jetë plot, por meqë është ditë pune, ka arsye”, tha në skenë Tusha.

Publiku i pranishëm veproi në harmoni me pjesëmarrësit dhe dukej se e shijoi performancën e shkëlqyer, veçanërisht të tenorit Josif Gjipali, i cili për të pranishmit ishte një emër jo i parë shpesh në ekranet televizive.

Duartorkitje të shumta, fjalët “bravo” pas çdo interpretimi, të kënduarat nga publiku, sidomos të këngëve shqipe “Unë biri yt Kosovë”, “Margjello”, “Bishtalecat palë-palë”, “Valët e liqenit”, këngës dibrane, bënë që nata të marrë sharmin e një mbrëmje ashtu siç edhe u paralajmërua nga organizatorët, gala në kuptimin e plotë të fjalës.

Ndryshe nga herët e kaluara, kur ngjarje të tilla nisin me fjalime të organizatorëve dhe pjesëtarëve të Ministrisë së Kulturës, kësaj radhe ajo nisi me prezantuesin dhe vazhdoi e përfundoi me këngë. Ministri Asaf Ademi erdhi pas disa minuta pasi filloi aktiviteti, dhe qëndroi deri në fund të ngjarjes në publik.

“Skena e muzikës serioze shqiptare” këtë vit ka edicionin e shtatë të saj, ndërkaq të premtën, më 19 prill 2019-të, do të sjellë edhe aktivitetin e pestë, koncert me violinistin virtuoz shqiptar, Tedi Papavrami. Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti i mirënjohur shqiptar, Gridi Kraja dhe do të mbahet në Filarmonine RMV-së në Shkup, me fillim prej ora 19:30.