Padyshim se çdo gjëje të bukur i vjen fundi, mirëpo kur përfundojnë ato gjëra të bukura që rrallë i shijojmë sikur mërzitemi dhe pse jo ndjejmë pak dhimbje. Pa e tepëruar, festivalit i parë teatror “Aktfest” është një nga gjërat më të bukura që kanë ndodhur në qytetit e Shkupit. Në mungesë të aktiviteteve të mirëfillta kulturore – artistike, ky festival solli freski në jetën e shkupjanëve. Për një javë patëm mundësinë të ndjekim gjashtë shfaqje unike të performuara nga trupa aktorësh nga qytete të ndryshme të trojeve shqiptare.
Mbrëmë, në teatrin e komedisë përfundoi festivali teatror “Aktfest” me shfaqen “Medea” të performuar nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Ky festival kishte edhe karakter garues, ku mbi 60 aktorë që u paraqitën në këtë festival konkurruan për 5 çmime që u dhanë nga juria profesionale e përbërë nga aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Shkumbin Istrefi dhe Vebi Qerimi. Kjo juri ndau këto çmime:
- aktori më i mirë në rol kryesor – Refet Abazi
- aktorja më e mirë në rol kryesor – Luiza Xhuvani
- aktori më i mirë në rol joprotagonist – Luran Ahmeti
- aktorja më e mirë në rol joprotagonist – Kristi Lleshi
- aktori i ri më i mirë – Bujar Ahmeti
“Jemi shumë të kënaqur prej rrjedhës së aktiviteteve në “Aktfest”. Kemi zgjuar interes të madh te publiku dhe për këtë ndjehemi posacërisht shumë mirë. Vështirësite më të mëdha i kemi hasur gjatë konsolidimit të datave për pjesëmarrje të shfaqjeve pasi që gjithë trupat teatrore kanë pasur numër të madh aktorësh me angazhime të ndryshme. Shpresoj që festivali do të behet tradicional, presim përgjigje pozitive nga Ministria e Kultures.” -deklaroi Romir Jakupi – drejtor i festivalit
Festivali teatror “Aktfest” u realizua nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.