Artisiti Amerikan ha veprën 120 mijë dollarëshe

Ndodh që një vepër arti të jetë me të vërtetë e parezistueshme. Ky duket se është edhe rasti që vjen nga Art Basel Show, në Miami Beach, kur një artist shokoi turmën, pasi hëngri një vepër arti me vlerë 120 mijë dollarë, që nuk ishte gjë tjetër përveçse një banane e ngjitur në një mur.

Banania ishte në fakt një vepër arti e artistit italian Maurizio Cattelan, e titulluar Komediani, dhe i ishte shitur një koleksionuesi francez për 120 mijë dollarë.

Në një video të postuar në llogarinë e tij në facebook, David Datuna, që e quan veten një artist amerikan të lindur në Gjeorgji dhe që jeton në Nju Jork, i drejtohet bananes, e tërheq nga muri, dhe më pas e ha.

Një performancë artistike…artist i uritur – tha ai ndërsa i hiqte lëkurën frutit dhe e kafshonte. “Faleminderit. Shumë e shijshme”.

Vizitorët dëgjoheshin të pëshpëritnin, para se një zyrtar i galerisë, i acaruar, ti afrohej për sqarime. Sidoqoftë, problemi u zgjidh në mënyrën më të mirë të mundshme. Rezultoi se vlera e veprës qëndronte tek certifikata e autenticitetit dhe bananja ishte e zëvendësueshme. Dhe në fakt, 15 minuta më vonë një banane e re u ngjit në faqen e murit dhe policia u vendos në ruajtjen e saj.

Artisti italian, Maurizio Cattelan, është i njohur edhe për tualetin e tij tërësisht funksional prej ari 18 karatësh, të quajtur Amerika, që dikur ia kishte ofruar hua edhe presidentit amerikan Donald Trump. Ky tualet me vlerë 5-6 milionë dollarë, u vu në qendër të vëmendjes sërish këtë shtator pasi u vodh nga pallati Blenheim në britani, vendlindjen e liderit të kohës së luftës, Winston Cherchill, ku ishte ekspozuar. /TCH/