Ekspozita e pavarur me fotografi artistike e kinematografit dhe fotografit Halim Luta nga Tetova prej sonte është e hapur në Institucionin kombëtar “Galeria e Artit”.
Ekspozita është titulluar si “Natyra si liri shpirtërore”, ndërsa autori prezantohet me 34 fotografi artistike.
“Njoh dy lloje të fotografive, ata që e “ngrijnë” momentin dhe ata që e çlirojnë, ose e tregojnë të ardhmen e momentit. Halim Luta i takon grupit të dytë të fotografive të përmendura. Fotografia e tij e fillon udhëtimin e tij, menjëherë pas momentit të xhirimit, ashtuqë ajo nuk merret më me të kaluarën, por vetëm me të ardhmen”, ka thënë në hapjen e ekspozitës, profesori Osman Demiri.
Drejtori i Galerisë për arte vizuale, Reshat Pajaziti ka thënë se si institucion janë të gatshëm të bashkëpunojnë me artistët që t’u ndihmojnë dhe t’i mbështesin.
Halim Luta ka lindur në vitin 1985 në Tetovë. Ka diplomuar në kamerë dhe fotografi në Universitetin e Tetovës. Ka marrë pjesë në më shumë ekspozita kolektive të fotografisë, në vend dhe jashtë, ndërsa për momentin punon si producent filmik, kinematograf dhe fotograf. Ekspozita do të jetë e hapur 10 ditë. /MIA