Në organizim të Shoqatës Kombëtare të Inovatorëve të Maqedonisë sot është hapur Panairi i tretë ndërkombëtar i shpikjeve, inovacioneve dhe teknologjive të reja “INOVAMAK 2019”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në manifestimin e panairit tre ditësh që mbahet në Shtëpinë e ARM-së në Shkup, do të marrin pjesë mbi 100 inovatorë prej më shumë se 20 shteteve si dhe studentë nga Fakulteti Makinerik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Goran Gerasimovski, zëvendës-drejtor i Entit shtetëror për pronësi industriale të Maqedonisë së Veriut në fjalimin e tij në hapjen e panairit tha se veçmas është me rëndësi që shpikësi në strategjitë e tij afariste t’i përfshijë të drejtat e pronësisë industrial.
“Që të rritet vlera e shpikjes veçmas me rëndësi është që shpikësi të marrë pjesë në manifestime të tilla të panaireve dhe t’i përfshijë të drejtat e pronësisë industriale në strategjitë e tij afariste”, tha Gerasimovski duke shtuar se Enti shtetëror për pronësi industrial si institucion me vite të tëra mbështet mbajtjen e ekspozitave dhe merr pjesë në ndarjen e çmimeve për inovatorët.
Neda Ikonomova-Gavrilovska, përfaqësuese e Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik në emër të drejtorit të fondit, duke përkujtuar se për herë të dytë mbështesin këtë manifestim ndërkombëtar u bëri thirrje të rinjve që kanë ide inovative që të aplikojnë në fond.
“Fondi për inovacione siç dihet tashmë, deri tani ka mbështetur mbi 300 kompani, që do të thotë se ka ndarë grante bashkë-financuese, ka mbështetur ide inovative që janë shndërruar në biznese dhe që janë komercializuar”, tha Ikonomova.
Në hapjen e sotme të Panairit të tretë Ndërkombëtar të Shpikjeve, inovacioneve dhe teknologjive të reja u lexua edhe letra e kryetarit të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatës së Shpikësve (IFIA), Alireza Rastegar.
Ai në letër thekson se IFIA përfundimisht më 6 qershor të vitit 2019 mori grantin e statusit special konsultativ nga Këshilli ekonomik dhe social të EKOSOS të OKB-së.