Një burrë 60 vjeç në lindje të Francës tha se është habitur kur ka zbuluar se fotografia e këmbës së tij të amputuar është përdorur në pako cigaresh pa pëlqimin e tij.
Fotografia është nxjerrë në paketat e cigareve brenda Bashkimit Evropian, së bashku me mesazhin: “Pirja e duhanit i bllokon arteriet”.
Por, burri shqiptar, i cili jeton në Metz, tha se ka humbur këmbën e tij si pasojë e një sulmi në Shqipëri në vitin 1997.
Fotografia është zbuluar nga djali i tij, kur ai ka blerë një pako cigaresh vitin e kaluar në Luksemburg, raportojnë mediat franceze, transmeton REL.
Ai e ka sjellë pakon në shtëpi te familja dhe babai i tij ka konfirmuar se fotografia është pamje e këmbës së tij.
Ai tha se nuk është pajtuar kurrë që fotografia e tij të përdoret.
Ai beson se ajo është marrë në një spital lokal, ku ai ka qenë për vizitë për të parë nëse mund të pajiset me këmbë protezë.
“Është e pabesueshme që një person e gjen veten, pa pajtimin e tij, në paketimet e cigareve në të gjithë Bashkimin Evropian”, tha avokati i tij, Antoine Fittante.
Avokati tha se po kontakton Komisionin Evropian për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.