Festivali “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” i reagon Ministrisë së Kulturës

Festivali “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në konkursin e sivjetshëm të Ministrisë së Kulturës u godit rëndë nga ana e vendimmarrësve të kësaj ministrie. Por, kush janë këta vendimmarrës? Janë komisioni të cilin e përzgjedhin vet zyrtarët e kësaj ministrie, edhe atë pa kurrëfarë konkursi publik dhe kriterium në përzgjedhje? Janë zyrtarët e përhershëm, të cilët buxhetit të Ministrisë i referohen si kulaç? Apo është Ministri, i cili zakonisht nuk e ka idenë se çka ndodh me buxhetin e shtëpisë së vet?

SKENA është festivali më i madh dhe më i vjetër shqiptar i muzikës artistike shqiptare në R.M.V, ku gjatë të gjitha edicioneve kanë marrë pjesë emra si: Ermonela Jaho, Inva Mula, Ramë Lahaj, Shkëlzen Doli, Petrit Çeku, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Tedi Papavrami, Genc Tukiçi, Venera Gimadieva, Bogdan Baciu, Guido Corti, Desar Sulejmani, Bujar Llapaj, Gridi Kraja, Isak Shehu, Olsi Leka, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Pjetër Guralumi, Aristidh Prosi, Nita Zenuni, Filharmonia e R.M.V, Opera e R.M.V, Orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar, Opera e Shqipërisë, Opera Filharmonike e Rinit, West Coast Symphonic Orchestra, Orkestra Tadenus, W.B.O Youth Orchestra, Orkestra Rinore Shqiptare, Orkestra Rinore e Shqiptarëve të R.M.V-së, Kori Siparantum, Trio Harkor Kosova, Ansambli Attaca, Ansambli Sonoris, Kori i Fakultetit të Arteve Tetovë, Ansambli Frymor Korona dhe shumë artistë tjerë nga vendi dhe bota, të cilët shërbyen si model inspirues për artistët e rinj të R.M.V., të cilët aspirojnë skenat e vendit dhe të botës.

Këtë vit “Skena” ka buxhet trefish të zvogëluar. Edhe pse vitin e kaluar kishim vitin jubilar të funksionimit një dekadësh, duke qenë promovuesit e parë dhe më të sukseshëm të muzikës artistike shqiptare dhe më gjërë, këtë vit Ministria e Kulturës e RMV-së, vendosi ta çojë në regres punën e këtij festivali.

Pohimet e zyrtarëve të ministrisë që “buxheti i Ministrisë për këtë vit është 30% më pak se ai i mëparshmi dhe kjo ka reflektuar edhe në ndarjen e buxhetit te projektet për kulturë”, është i paarsyeshëm, pasi kjo ministri, në të njëjtin konkurs, ka favorizuar shoqata të panjohura, të cilat kanë zero impakt në jetën kulturore të vendit tonë, duke e barazuar punën e “Skenës” me këto shoqata anonime. Ky veprim është problematik për skenën kulturore të përgjithme në vendin tonë, është veprim i cili na çon drejt një diktature kulturore, ku asnjëri nuk ka siguri në punën që bën. Imagjinoni, kur këtë dëmtim ia bëjnë “Skenës” si një nga organizimet më madhështore të kulturës shqiptare në Maqedoni, ku mbeten të tjerët, të cilët kanë nevojë për përkrahje dhe mbrojtje nga institucioni kryesor i kulturës shtetërore! Ky lloj kontrolli dëmton kualitetin e programit kulturor, ku taksapaguesve në vend që t’ju ofrohet programë të shëndoshë kulturore, u ofrohet propagandë.

Në programin me të cilin “Skena” konkuroi ishte realizimi i koncertit të violinistit me renome botërore Tedi Papavrami. Po ashtu, theks të veçantë iu kushtua edhe vënies në skenë të operës “Skenderbeu”, operë e cila pas premierës së suksesshme të vitit 2019, nuk u vu më asnjëherë në skenë. Siç e shohim, kjo operë mungon edhe në programën e sivjetshme (të vitit 2023) të Operës së Maqedonisë. Me buxhetin të cilin këtë vit ministria na e ndau, fatkeqësisht nuk do jemi në gjendje ta realizojmë këtë agjendë.

Gjithësesi, “Skenës” i mbetet, bashkë me 11 promotorë elitar muzikor nga Ballkani dhe Evropa, të realizojë aktivitete muzikore nëpërmjet projektit të mbështetur nga Unioni Evropian, gjegjësisht programën “Evropa Kreative”, me çka aktiviteti i saj do zgjerohet përtej kufijve të deritashëm.

Me respekt,

Alegreto

Skena e Muzikës Serioze Shqiptare