Në një përpjekje për ta luftuar spamin, shërbimi i popullarizuar Twitter ka njoftuar se do t’i ndryshojë rregullat duke ua mundësuar përdoruesve që t’i ndjekin deri në 400 llogari në ditë. Deri më tani kanë qenë të mundura deri në 1000 ndjekje në ditë, edhe pse vendimi i ri e mundëson ndjekjen e më shumë llogarive se që përdoruesi mesatar i bën gjatë 24 orëve, raporton Engadget.
“Si pjesë e përkushtimit tonë për krijimin e një shërbimi të shëndetshëm, mbetemi të fokusuar në parandalimin e spamit dhe abuzimit në Twitter,” theksuan nga kompania, përcjell KOHA Ditore.
Ky ndryshim i rregullave është vetëm një nga hapat që Twitter i ka ndërmarrë në muajt e fundit për t’u ballafaquar me botët dhe llogaritë që spamojnë përmbajtjen. Vitin e kaluar, kompania e eliminoi të ashtuquajturin “bulk tweeting”, që u mundëson shfrytëzuesve ta tweetojnë përmbajtjen e njëjtë nga llogari të shumëfishta. Gjithashtu, është shtuar një vegël e re e raportimit të boteve dhe autentifikimit të përdoruesit nëpërmjet numrit të telefonit ose adresës së e-mailit kur krijohet një llogari e re.