Endrit Rushiti nga Kumanova, ndonëse vetëm 20 vjeçar, ai po tregon shumë ambicie në fushën e teknologjisë. Pas aplikacionit ‘Movies Diary’, Endriti ka punuar edhe në krijimin e një aplikacionit tjetër. Quhet “Applinka”, dhe për momentin është në vendin e parë në listën ‘Trendings’ në kategorinë ‘Social’ në Google Play Store. Më këtë aplikacion ai ka fituar dy çmime ndërkombëtare.
Schoolture ka zhvilluar një intervistë më Endritin ku ai flet në detaje për aplikacionin si dhe për planet e tij për të ardhmen.
Schoolture: Cili është qëllimi juaj me krijimin e aplikacionit Applinka ?
Endrit Rushiti: Qëllimi kryesore i aplikacionit ‘Applinka’ është ruajtja e ambientit jetësorë.
‘Applinka’ do të mundësojë ruajtjen e ambientit në mënyra shume argëtuese, duke i sfiduar shokët me ndonjë aktivitet që do ketë ndikim në ruajtjen e ambientit siç janë: Vrapimi, Ecja, Reciklimi, Mbjellja e pemëve, Pastrimi i Parqeve dhe vendeve publike dhe shumë tjera që do shtohen me kërkesë të përdoruesve.
Çka e bën ‘Applinken’ më të veçantë është se njerëzit mund të socializohen me shumë njerëz tjerë dhe do vazhdojnë ta mbajnë shëndetin e trupit gjatë përdorimit të këtyre sfidave.
Gjatë krijimit të sfidës, krijuesi vendos dhe një shpërblim, të cilin në fund të sfidës humbësi duhet t’ia paguaje fituesit, dhe kjo është pjesa zbavitëse dhe socializuese.
Si përfundim ‘Applinka’ sjell 3 dobi tek njerëzit: Ruajtjen e ambientit, socializimin dhe shëndetin e trupit!
Schoolture: Prej lansimit të saj deri më tani, sa jeni të kënaqur nga interesimi i njerëzve dhe ‘shkarkimet’ që janë bërë?
Endrit Rushiti: Jam shume i kënaqur, sidomos dua ta theksojë se jam shumë i befasuar nga njerëzit e popullit tonë, të cilët e kane pritur dhe e kane vlerësuar shumë këtë projekt.
Pjesa më e madhe e instalimeve deri më tani janë nga trojet tona duke i përfshirë dhe disa shtete europiane si Gjermania, Italia, dhe Franca.
Sa i përket numrit të shkarkimeve, Google Play Store nuk jep informata të sakta në javën e parë, por ‘Applinka’ ka arritur të jetë e 1 në listën ‘Trendings’ në kategorinë ‘Social’ në Google Play Store.
Kjo ka qenë një arritje shume e madhe për mua.
Schoolture: Përpos ‘Applinka’ , më herët a keni krijuar aplikacione tjera?
Endrit Rushiti: Përpos aplikacionit ‘Applinka’ un kam edhe një aplikacion tjetër, të cilin e kam publikuar disa muaj me herët.
Aplikacioni quhet ‘Movies Diary’ dhe është një ditar i filmave.
Aplikacioni të lejon të bësh një listë të filmave që keni në plan ti shikoni dhe në momentin që i shikoni të lejon të shënosh një vlerësim për atë film dhe ta ruash përgjithmonë në ditarin tënd.
Pastaj mund të bësh krahasime me shokët rreth ndonjë filmi.
Aplikacioni ka mbi 5000 instalime dhe rreth 90% e përdoruesve janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Schoolture: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, a mund të presim dhe një aplikacion tjetër?
Endrit Rushiti: Për momentin këtë muaj do jem i fokusuar vetëm tek aplikacioni ‘Applinka’ , derisa të krijojmë një ekip të mirë që do menaxhoje me aplikacionin, sepse ne e dimë shumë mirë se ku do arrijë aplikacioni prandaj kjo është vetëm fillimi.
Aplikacioni i radhës do jetë një rrjet social. Pasi ti mbarojmë obligimet kryesore te aplikacionit ‘Applinka’ dhe pasi të formohet një ekip i mirë për menaxhimin e aplikacionit, atëhere do filloj të mendojë për aplikacionin tjetër.
Intervistoi: Muhamed Krasniqi