Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Promovohet libri kushtuar futbollistëve Granit e Taulant Xhaka

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është promovuar libri i Hava Kurti-Krasniqit “Legjendat e Futbollit” kushtuar vëllezërve Xhaka, raporton EkonomiaOnline.

Këshilltari i Ministrit Gashi për Sport, Daut Thaçi, tha se përkrahja e MKRS-së për sportistët e tillë nuk do të mungojë asnjëherë.

“Sporti kosovarë po shihet si një ambasadorë i mire i përfaqësimin në arenën ndërkombëtare siç është puna e vëllezërve Xhaka që po promovojnë vendin. Ne si Kosovë jemi duke u promovuar nga vëllëzërit Xhaka, historia e këtyre dy sportistëve besoj se do të jetë kurajo për shumë të rinj që me punë të jenë ikona të shtetit të Kosovës edhe pse luajnë për shtete të ndryshme, por zemra e tyre është me Kosovën”, shtoi Thaçi.

Konsulli i përgjithshëm në Gjenevë, Ramadan Avdiu, tha se mërgata është e lidhur çdo herë e më shumë me atdheun dhe po mbrojnë ngjyrat e vendit tonë.

“Është dhurata e mirë për lexuesit. Dhe uroj autorja të vazhdoj të krijoj vepër tjera për mërgatën tonë. Mërgata shqiptare janë ata që e ruajnë një ekuilibër të stabilitetit ekonomik në vend me remitencat që dërgojnë këtu, bashkatdhetarët tanë kanë lëvizur shumë, janë të integruar dhe të lidhur me atdheun e në mesin e tyre ka shumë artistë, sportistë që kanë udhëhequr vëmendjen e opinionit”, tha ai.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, tha se mërgata jonë po na bën krenarë kudo që ka shqiptarë në botë.

“Ne të gjitha familjet në Kosovë e kanë një zbrazëti se kemi dikë që jeton jashtë dhe kurdo që ju jeni në Kosovë na plotësoni. Falënderoj autoren e librit dhe e përgëzoj sepse është e nevojshme të promovohen vlerat, sportistët tanë që po na bëjnë krenarë popullin shqiptarë me sukseset e tyre që janë motiv anë kënd botës”, shtoi ajo.

Ndërsa, autorja e librit, Hava Kurti-Krasniqi, ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe ata që e mundësuan realizimin e këtij libri.

“Falënderoj të gjithë të pranishmit që kanë gjet kohë të vijnë”, tha Kurti-Krasniqi.