Dy vendet më të nxehta në Tokë me temperatura deri 80.8 Celsius

Shkretëtirat e Lutit në Iran dhe Sonora në Meksikë (në kufi me SH.B.A.) mbajnë temperaturat e reja rekord të larta në sipërfaqen e Tokës, me temperatura sipërfaqe prej 80.8 gradë Celsius, të regjistruara përkatësisht në verat e 2018 dhe 2019. Nga ana tjetër, temperatura më e ulët u regjistrua në 2016 përmes satelitit në Antarktidë (-110,9 gradë).

Regjistrat e temperaturës, bazuar në një vlerësim të ri të të dhënave satelitore me rezolucion të lartë, janë paraqitur nga shkencëtarët, të udhëhequr nga Dr. Yunxia Zhao i Universitetit të Kalifornisë, në një botim në revistën e Shoqatës Amerikane të Meteorologjisë, sipas “Science” .

Ndryshimi më i madh i temperaturës në një ditë ishte 81.8 gradë Celsius – nga -23.7 në 58.1 – dhe u regjistrua në 20 korrik 2006 në rajonin Qaydam të Kinës, në pllajën tibetiane. Rekordi për temperaturën më të lartë të ajrit mbi një zonë mbahet nga Death Valley në California, me 56.7 gradë më 10 korrik 1913.

Më shumë se 11,000 stacione moti me njerëz dhe automatikë në të gjithë botën regjistrojnë temperatura në hije në rreth një metra e gjysmë mbi tokë. Sidoqoftë, zona të gjera të planetit tonë nuk kanë instrumente të tilla matëse dhe temperaturat e sipërfaqes mund të llogariten vetëm me ndihmën e instrumenteve satelitore. Temperaturat sipërfaqësore priren të jenë më të larta se ato të ajrit mbi të njëjtën zonë, veçanërisht kur ka diell (për të njëjtën arsye p.sh. rëra në një plazh djeg më shumë sesa ajri mbi të).

Mbetet e paqartë, sipas studiuesve, nëse ndryshimi i klimës po rrit temperaturat në sipërfaqen e Tokës. /tesheshi.com/