MJEKËT PO IKIN NGA VENDI/ Institucionet shëndetësore po përballen me mungesë kuadri

Me shpërnguljen e personelit mjekësorë, shumë institucione shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur pa kuadër të mjaftueshëm.

Sipas statistikave, në Maqedoninë e Veriut ka 270 mjekë në 100 mijë banorë që është për 22% më pak se mesatarja evropiane.

Në 10 vjetët e fundit, për çdo vit janë larguar nga rreth 200 mjekë, numër ky që është i barabartë me mesataren vjetore të studentëve që kryejnë mjekësinë, që i bie se, sa mjekë të ri po diplomojnë, aq të tjerë largohen nga vendi për një vit.

Ikja e mjekëve në perëndim, largimi i mjekëve nga një qytet më i vogël në klinikat e Shkupit si dhe futja e mjekëve në politikë, ka mbyllur shumë reparte mjekësore në spitalet e vendit tonë.

Kështu ndodhi  së fundmi në Ohër ku u mbyllë reparti i Pediatrisë për shkak të mungesës së pediatërve.

 “Me këtë deficit, të specialistëve të caktuar, në specializime të caktuara po ballafaqohemi në më shumë vende të shtetit, prandaj intervenojmë këtu në Ohër ku dy pediatër do të sillen nga Shkupi, nga Klinika e Shkupit për Pediatri dhe në kontinentet të pranishëm dhe këtë sistem të rrotacionit do ta mbajmë deri sa të gjendet një zgjidhje e përhershme”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Për të zbutur këtë mungesë kuadri sidomos në qytet më të vogla Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimin e ligjit për mbrojtje shëndetësorë.

“Tanimë kemi propozuar ndryshim të ligjit për mbrojtje shëndetësore në të cilin mundësojmë që cili do mjek nga cilido spital publik dhe privat mund të mbajnë kujdestari me qëllim që të mundësohet shërbimi i nevojshëm. Kjo nuk vlen vetëm për pediatret por edhe për specialistë tjerë, ne kemi caktuar edhe debat publik për këtë ligj” , theksoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Pothuajse nuk ekziston spital në Maqedoninë e Veriut i cili nuk ballafaqohet me mungesë të kuadrit mjekësorë, mungesë më të madhe ka për oftalmolog, urolog, endokrinolog, pediatër, gjinekologë dhe anesteziolog. Regjistrimi i fundit i popullsisë do të tregojë se sa personel mjekësorë i mungon vendit. Ndërsa destinacionet perëndimore më të pëlqyera të personelit mjekë janë Gjermania, Zvicra, Sllovenia, Lindja e Afërme./21Media