GRIPI STINOR/ Merr hovë, trefishohet numri i pacientëve-fëmijët më të prekur

Trefishohet numri i fëmijëve të prekur nga infeksionet e organeve të frymëmarrjes. Mjekët pediatër alarmojnë se javëve të fundit ordinancat e tyre janë të stërmbushura me fëmijë të sëmurë, të cilët në shumicën e rasteve janë me simptoma të njëjtë, kollitje, temperaturë dhe plogështi. Sipas tyre më të prekur janë fëmijët nga mosha 1 deri 15 vjeçare ndërkaq shpesh herë, simptomat janë të pa dallueshme nëse bëhet fjalë për virusin korona, sëmundje respiratore apo gripin sezonal.

“Kjo është periudhë edhe e gripit sezonal mirëpo ne jemi në pandemi, dhe nuk jemi të sigurtë nëse konkretisht këto infeksione respiratore çfarë tipi të infeksionit janë. Por është e vërtetë se kemi rritje të numrit të fëmijëve me simptomatologji të sëmundjeve respiratore. Për fat të keq shumicën e rasteve nuk merren strisho dhe shumica e fëmijëve trajtohen për sëmundje respiratore. Rekomandim për të gjithë prindërit është që të ju shmangen vendeve ku ka shumë njerëz, fëmijët e sëmurë mos të dërgohen në çerdhe apo shkolla sepse ata janë burim i infeksionit. Është shumë me rëndësi që fëmijët e sëmurë të jenë në shtëpi, sepse duhet të trajtohen në kushte shtëpiake”, deklaroi Sani Bajrami, Pediatër.

Gjatë javës së shkuar Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 100 raste të konfirmuara me grip sezonal, 47 prej tyre janë fëmijë të moshës nga 0-14 vjeçare.

“ Gjatë sezonit 2021-2022, numri total i të prekurve nga gripi sezonal është 509. Që është 2,3 herë më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Numri më i lartë i të prekurve është regjistruar në territorin e qytetit të Dibrës. Incidenca më e lartë është te fëmijët e moshës nga zero deri në 4 vjecare”, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Në këtë periudhë në gjithë botën ishte paraparë përhapje e lartë e gripit sezonal, duke pasur parasysh faktin se një vit më parë nuk pati fare të prekur, ndërsa organizimi nuk e ka krijuar imunitetin e duhur për të luftuar virozat stonore./Alsat.mk