Nga Sumea Ramadani
“Nëse sëmundja do të përcaktohet, ajo duhet të dehumanizohet … Në fund të fundit, gjëja më pak e rëndësishme në sëmundje është njeriu.”
René Leriche (1874-1955), themeluesi francez i kirurgjisë vaskulare moderne
Mbi 100 mijë vjet më parë, paraardhësit tanë filluan të flasin. Rreth 5 mijë vjet më parë, njerëzit filluan të shkruajnë. Në 150 vitet e fundit, ne miratuam gjithçka, nga telegrafi, radioja dhe televizioni deri tek e-mail, mesazhet me tekst, blogjet dhe media të tjera sociale. Mënyrat se si lidhemi me njëri -tjetrin mund të kenë ndryshuar, por jemi ende të detyruar të komunikojmë idetë, përvojat dhe emocionet tona tek ata përreth nesh.
Ekzistenca njerëzore nuk mund të jetë e heshtur, as nuk mund të ushqehet me fjalë të rreme, por vetëm me fjalë të vërteta, me të cilat burrat dhe gratë transformojnë botën. Të ekzistosh, njerëzisht, është të emërtosh botën, por edhe ta ndryshosh atë. Pasi emërtohet, bota nga ana e saj rishfaqet tek emrat si një problem dhe kërkon prej tyre një emër të ri. Qeniet njerëzore nuk janë ndërtuar në heshtje, struktura njerëzore përfshinë: fjalën, punën, veprim-reflektimin.
Boshti kurrizor i qënies njerëzore është dinjiteti i tij. Dinjiteti i njeriut nuk mund të zbulohet nga biologjia, psikologjia ose ndonjë shkencë tjetër, dinjiteti i njeriut është një pyetje shpirtërore. Njeriu me gjithë strukturën e tij i të qenurit specie sociale nuk mund të solidarizohet me të tjerët nëse nuk ka dekonstruktuar e pastaj konstruktuar vetën e tij nga fillimi. Politika aktuale është e ndërtuar nga mediokriteti në mënyrë që zvarrisin poshtë në nivelin e tyre çdo gjë mbi këtë linjë.
Në shkencat politike, është e pamundur të imagjinohet se të thuash të vërtetën mund të bëhet më fitimprurëse sesa gënjeshtra dhe indoktrinimi është aq i thellë sa njerëzit e arsimuar mendojnë se janë objektivë. Detaji kryesor i çështjes politike tek ne është të qenurit pakicë. Pa diskutuar koncepte si pakica, shumica, të drejtat e pakicave dhe pushteti, mendoj se është e dobishme të dimë mësimin e parë që Ruth Benedikt morri nga historia: “Sa herë që grupi dominues dëshiron të mundojë ose konfiskojë një grup, ai përdor fakte që janë të njohura dhe të pranuara me gatishmëri në atë kohë.”
Interesi është zoologjik, sakrifica është njerëzore. Interesi është një nga konceptet bazë në politikë ose ekonomi politike; sakrifica është një nga parimet bazë të etikës.
Një kafshë është e rrezikshme kur është e uritur ose në rrezik. Njeriu është i rrezikshëm kur ushqehet dhe është i fuqishëm. Shumë më tepër krim është kryer nga ngopja e tepërt sesa nga pangopësia. Ne jetojmë brenda një kaste sistemi dhe vetëm kur ta arrijmë vetëdijen mbi këtë fakt do të çlirohemi. Në një kastë asnjëherë nuk mund të fitosh duke luftuar të arrish në majë; në një kastë do fitosh vetëm duke refuzuar burgimin. Spinoza na tregon se natyra asnjëherë nuk ndërton popuj apo kaste e klasa shoqërore, natyra ndërton vetëm personalitete! Aftësia për të zgjedhur, pavarësisht nga rezultati, është forma më e lartë e ekzistencës së mundshme në univers. Nuk thërras në vdekje ngaqë vdekja do të na vijë thërras në çlirim nga ‘ndjesia e pafuqisë së mësuar’, të mos përkundim gjenerata të reja në djepin e thyer të kësaj shoqërie.