Zoga Ajeti
Prilli ka filluar. Në vend që t’i nuhasim aromat e pranverës, ne jemi mbyllur në shtëpi!
Përderisa bota është në kolaps dhe heroizmi më i madh është të qëndrojmë në shtëpi, edhe unë jam heroinë. Po rri në shtëpi. Më kanë shpallur heroinë, pa bërë gjë. Sa qesharake, sa ironike, aq edhe e vërtetë. Një ditë do të mburrem para mbesave e nipërve e do t’ju them që kam luftuar në mbytjen e një virusi global, që çuditërisht kishte një emër simpatik: Korona!
Kur do të përfundojë kjo? A do të përfundojë?
Jam mërzitur. Jam me ankth…
Gjithmonë – gjatë bisedave, gjatë leximit të librave apo shikimit të filmave – disa gjëra na mbesin në mendje. E mua, gjatë këtyre ditëve, fjalia që më së shumti më ka mbetur në mendje dhe më ka bërë të mendoj është: bota nuk do të jetë asnjëherë njësoj! Kur kërkoj më shumë shpjegime për këtë “zbulim”, nuk ka arsyetime të duhura!
Bota ka vuajtur loje e lloje murtajash e virusesh. Bota ka vuajtur shumë gjëra, bota vuan e do të vuajë edhe nëse nuk ka pandemi, epidemi a çfarëdo qoftë… Pas një viti kjo vuajtje do të zbehet e do të futet në kthetrat e harresës. Do të vijnë gjërat tjera, ndoshta pa këtë bujë. Mund të ketë rrezik më të madh, por ndoshta jo. Kushedi, i mbetet Zotit, Universit apo mendimeve të secilit që të vendosin për këtë.
Unë mendoj se gjithçka varet nga mendimet tona. Disa i kalojnë ditët duke lexuar lajme dhe duke pritur që kjo fazë të kalojë. E shohin këtë gjendje si burg, si mallkim. E, ndoshta ka edhe nga ata të “çuditshmit”, si unë, që e shijojnë çdo sekondë të këtij burgu.
Ka vite e vite që në shtëpi kam qenë vizitore. Por, orët e kaluara aty ishin më të bukurat e jetës sime, sepse buzëqeshjet nuk e merrja nga një person i panjohur recepsioni, por nga dy sy të bukur e një kokë rrumbullake e vogëlushit tim. Më herët kam menduar që “puna e mbyt trishtimin”; tani mendoj që “qetësia e mbyt trishtimin”. I kam hapur veshët, sytë, të gjitha shqisat, zemrën e shpirtin dhe po e dëgjoj veten time. Për herë të parë, pa asnjë frikë, nuk po ngarend në harresën e vetes sime, se jeta po më jep mundësi ta gjej veten.
Më herët kam menduar se vetëm nëse lëvizi, punoj e ngarendi, mund ta luftoj trishtimin brenda vetes. Kjo qetësi tashti po më bën ta shikoj monedhën në anën që s’e kisha parë. Ajo copëz dielli që e shijoj nga kati i tetë i një banese i ka zëvendësuar të gjitha ëndrrat e parealizuara. Mrekullitë e botës nuk janë piramidat e Egjiptit e as kopshtet e varura të Babilonisë, por janë këto që i kam tani. Unë mund të shikoj. Deri tash nuk e kisha vërejtur këtë panoramë kaq të bukur që shtrihej para meje. Mund ta dëgjoj natyrën që flet dhe mrekullohem. Si nuk e kisha mësuar më parë këtë gjuhë magjike!? Mund të nuhasë, mund të eci, të analizoj, të shijoj çokollatën e nxehtë e aromën e bukës së pjekur.
Në fund e kuptova: bota as për mua nuk do të jetë më kurrë siç ishte, ajo do të jetë shumë shumëfish më vibrante, më e bukur, më e gjallë…
Burimi: Telegrafi