Dy shtëpitë botuese tetovare “Syth” dhe “Nobel” këtë vit vendosën të sjellin një panair libri pak më ndryshe se herëve tjera në Tetovë. Panairi i librit këtë vit vjen në një lokacion të ri dhe më të frekuentuar nga qytetarët, gjegjësisht në qendrën tregtare “ReMall”. Ajo që ra në sy gjatë hapjes së panairit, ishte mungesa e profesorëve, arsimtarëve, nxënësve dhe studentëve, shkruan Portalb.mk.
Me dhjetra botues nga trojet shqiptare dhe me mbi dy mijë tituj dje filloi panairi i librit “Tetova 2021”.
Panairi u hap nga shkrimtari tetovar, Salajdin Saliu i cili theksoi se aty ku ka panaire librash, aty ka ardhmëri.
“Nëpërmjet librit ne nuk lejojmë që shoqëria jonë të bëhet shoqëria e harresës, nëpërmjet librit bëhemi subjekte që e mbrojmë lirinë tonë. Nëpërmjet librit i bëjmë dijet tona të qëndrueshme dhe e mposhtim vdekërimin e çdoditshëm. Nëpërmjet librit dalim nga kornizat e kodeve anakronike dhe e shohim dritën në shtëpinë tjetër. Jam i lumtur që mu dha rasti ta hap këtë panair të veçantë, në këtë qytet ku janë shkruar dhe kënduar libra që prej para shumë shekujsh, në këtë qytet ku ka pasur poetë që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë”, tha Salajdin Saliu.
Profesoresha universitare dhe shkrimtarja Vjollcë Berisha u shpreh se panairi është titulluar Tetova 2021, pasi përmes kësaj kanë dashur të vulosin këtë vit me aktivitete librash.
“Ky është panairi i librit që organizohet nga dy shtëpi botuese nga Tetova, “Syth” dhe “Nobel”. Janë ftuar dhe marrin pjesë shumë botues, janë botues prestigjioz nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Ka mbi dy mijë tituj, ka një ofertë të mirë. Unë mendoj që lexuesi që do ta vizitoj do të ndahet i kënaqur. Qëllimi është që panairi të vazhdojë të jetë tradicional. Të mendojmë për libra, të flasim për libra dhe të tubohemi rreth librave, në një farë mënyre të japim mesazhin se nuk bëjmë pjesë te ato qytete ikin nga libri, që nuk e duan librin por përkundrazi jemi dashamirë të librit jemi krah i fuqishëm i librit”, tha Vjollcë Berisha.
Ndryshe, panairi do të jetë i hapur për lexuesit dhe dashamirët e librave deri me 30 dhjetor të këtij viti, nga ora 10 deri ora 22 në hapësirat e qendrës tregtare “ReMall”.