Mbi 2 mijë tituj mund të gjenden në panairin e librit “Tetova 2021”. Mbi 10 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia gjenden këtu, ndërsa deri më tani organizatorët shprehen të kënaqur me interesimin e lexuesve për panairin.
“Jam e kënaqur nga vizitorët, nga fluksi i atyre që vijnë sepse edhe kushtet janë të mira. Fundja, panairet për këtë janë, për të parë libra, për të menduar për libra, për të takuar njerëz, autorë, jo vetëm thjesht për shit-blerje siç mund të bëjmë me mallrat e tjerë”, tha Vjollca Berisha, organizatore e panairit.
“Unë vij nga shtëpia botuese UET Press nga Tirana, duke parë deri tani, mund të themi mirë, sepse për kohën që po jetojmë edhe për kushtet, duhet të jemi të kënaqur. Janë shumëllojshmëri librash që kërkojnë, dikush romane, dikush poezinë, dikush librin studimor, por janë nga më të ndryshmet”, thonë nga UET PRESS – Tiranë.
Lidhur me debatin për çmimet e librave, përfaqësuesit e shtëpive botuese thonë se çmimet janë të arsyeshme kur merret parasysh kostoja për botimin e një libri. Problem është kriza ekonomike.
“Kur isha vetëm lexuese unë mendoja se janë shtrenjtë, por pastaj kur kalova në anën tjetër, në atë të përgatitjes, prodhimit, nuk mendoj, ne jemi shumë në rregull me çmimet e librave. Është diçka tjetër që xhepi ynë, është më i hollë dhe kemi kriza ekonomike, por krahasuar edhe me librin në rajon, por edhe në Maqedoni, nga shtëpitë botuese maqedonase edhe pse kanë mbështetje shumë të madhe edhe nga ministria, projekte të ndryshme, prapëseprapë aty jemi me çmimet”, theksoi Vjollca Berisha, organizatore e panairit.
“Ne jemi munduar që çdo libër ta bëjmë me zbritje, d.m.th deri 20% ulje dhe deri më tani nuk ka dalë dikush që është ankuar për punën e çmimeve, por janë të kënaqur”, pohojnë nga UET PRESS – Tiranë.
Panairi “Tetova 2021” është hapur në Remall nga 24 dhjetori, ndërsa mbyllet në datë 30.
Burimi: TV21