MËSIM NË SHKOLLË TË IMPROVIZUAR!/ Paralelet shqipe të “Nace Bugjonit” 20 vjet presin për objekt

Kjo është shkolla e mesme teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë ku mësojnë paralelet në gjuhën shqipe. Mungesa e një objekti të mirëfilltë shkollor, bën që këtu mësimi të zhvillohet në klasa të vogla nga druri, me dritare të vjetra dhe vrima nga ku hyn i ftohti. Nuk ka as sallë sporti.

Kjo gjendje është më shumë se 19 vite, ndërsa nxënësit thonë se ndihen të rrezikuar nga instalimi i rrymës.

 “Ne mësojmë me një fjalë në baraka, ku hapësirat janë shumë të vogla, pa marr parasysh edhe vetë e dimë se jemi në kohë pandemie pa marrë parasysh sëmundjet që munden me na shkaktuar ne kemi dhe rreziqe tjera si për shembull nga rryma elektrike. Nuk kemi as praktikën ku ta mbajmë i kemi si të themi baraka edhe ato janë por nuk kemi mjete aspak”, tha Agnesa Shabani, nxënëse.

Për nxënësen Egzona Aliu nga drejtimi i mjekësisë është e vështirë të mësojnë pa praktikën e  duhur.

 “Kushtet nuk janë aq të mira, mësojmë në baraka, ngrohjet nuk janë edhe aq mirë, ftoht është gjithkund, për mësimin praktik kemi shumë probleme pasi që mësojmë edhe jashtë shkollës, në spital nuk kemi mundësi të shkojmë pasi që është Covid-19 dhe në shkollë kushtet nuk janë të mira për të kryer praktikën”, pohoi Egzona Aliu, nxënëse.

Drejtori i shkollës, Dragan Janevski, i vetëdijshëm për kushtet në të cilat mësojnë paraleletet shqipe, ndërsa thotë se për këtë janë të alarmuar të gjitha organet kompetente. Shprehet se kjo është gjithçka që mund të bëjnë si shkollë.

 “Ato janë kushte që kanë mangësi të mëdha për kryerjen e mësimdhënies adekuate. Të gjitha ato situata të alarmuara në komunë janë bartur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sepse është investim i madh që ne si shkollë por edhe komuna të marrim masa, është një punë që presim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të na ndihmuar”, theksoi Dragan Janevski, drejtori I shkollës.

Në vitin 2001 për shkak konflikteve mes nxënësve, paralelet shqiptare u ndanë nga ato maqedonase, me planin që shumë shpejt të kenë objektin e tyre, por edhe tash pas 20 vitesh asgjë nuk ka ndryshuar. Për një kohë të gjatë nxënësit e kësaj shkolle kanë mësuar në 3 turne, e më pas si zgjidhje u gjet vendosja e barakave, të cilat ishin paraparë vetëm për 6 javë, por vazhdojnë të përdoren tash e 10 vite.

Burimi: TV21