Panairi i Librit në Shkup, me shumë pak vizitorë

Shumë libra e pak vizitorë. Kështu dukej Panairi i Librit në ditën e tretë të saj ku po marrin pjesë një numër i vogël i shtëpive botuese, kryesisht nga vendi, shkruan Alsat.

Përfaqësuesit e tyre thanë se ofrojnë material të larmishëm duke përfshirë të gjitha moshat.

“Materiale kemi nga mosha 2 veçare e sipër, nga të gjitha moshat kemi material. Është mjaft e furnizuar dhe zbritjet janë nga 20 deri në 30 %, edhe zbritjet janë të mëdha”, deklaroi Shyrete Ajrullai, shitës librash.

“Sa i përket çështjes së librave nuk është asnjëherë mjaftueshëm andaj presim edhe më shumë vizitorë këtyre ditëve. Përkatësisht kemi libra fetar mirëpo ka edhe libra motivues në lidhje me çështjen e fesë dhe motivimin e njerëzve për zhvillim më të mirë të jetës”, u shpreh Uvejs Murtezi, shitës librash.

Përveç shitësve të librave edhe profesorët që takuam vlerësojnë se vërehet rënie e interesit për të lexuar ose tashmë preferohet leximi i librave online.

“Unë vij nga qyteti i dy universiteteve, besoni se leximi te gjeneratat apo te studentët apo qytetarë tonë është shumë në nivel të ulët. Ndoshta, kërkojnë diçka shumë më të shpejtë të vijnë te informatat, ndoshta animacionet apo videot janë më atraktive se leximi. Janë vetëm disa të gjeneratës më të vjetër të cilët kanë dëshirë të lexojnë”, deklaroi Mujadin Bajrami, shitës librash.

“Ne krijojmë mundësi aty ku punojmë dhe ligjërojmë që ta ringjallim, ndoshta ose ta risjellim në vëmendje dëshirën e studentit për të lexuar. E zëvendësuam një orë të zakonshme të mësimit për të ardhur në Panairin e Librit në dobi të kësaj ideje që sapo thamë, pra ta rigjallërojmë idenë e të lexuarit”, u shpreh Elizabeta Ollogu, profesoreshë.

“Lexoj ndonjëherë, më shumë online. Më shpesh lexoj manga japoneze ndërsa tani kam filluar të lexoj edhe romane dashurie”, tha një nxënës.

“Tash më rrallë lexojnë. Shiko sa ka të rinj dhe sa prej tyre do të blejnë libra”, u shpreh një qytetar.

Panairi i Librit do të jetë i hapur deri më 9 Maj në qendrën sportive A1 Arena “Boris Trajkovski”./Alsat.mk