Rektori i UNT-së zhvilloi takime me drejtorët e shkollave të mesme të qytetit të Shkupit

Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup i shoqëruar nga ekipi i tij menaxhues, sot realizoi takime pune me drejtorët e shkollave të mesme të qytetit të Shkupit, takime këto të karakterit njoftues dhe konsultues.

Në takimin e përzemërt me drejtorin e shkollës më të vjetër në gjuhën shqipe në Shkup, gjimnazin ‘Zef Lush Marku’ z.Faruk Zeqirin, rektori njoftoi atë me programet studimore që ofron UNT për maturantët e gjimnazit, që është trashëguese e Normales së famshme të Shkupit.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet UNT dhe institucioneve të shkollimit të mesëm do të krijojë kushte dhe rrethana për rritjen e interesimit të të rinjve për të studiuar fushat teknike, teknlogjike dhe sociale, ndërsa drejtori morri zotim nga rektori Zeqiri se kabinetet dhe laboratorët e UNT-së do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe sidomos 450 maturantëve të ZLM-së, për të lehtësuar punën e tyre praktike.

Gjatë takimit me zëvendës drejtorin e Shkollës së mesme ekonomike ‘Arseni Jovkov’, Nazmi Ramani, u arrit marrëveshje për bashkëpunim permanent mes dy institucioneve, dhe çasje për 245 maturantët e kësaj shkolle në hapësirat e UNT-së për ndërtimin e karierës së tyre akademike.

Rektori Zeqiri vizitat e punës i vazhdoi me takim me drejtorin e shkollës së mesme të tregtisë ‘Cvetan Dimov’, Visar Duraku, me të cilin u arrit marrëveshje që në programin mësimor të kyçen edhe profesorë të UNT-së. Duraku tha se shkolla që drejton ai bën pregatitjen e nxënësve për lëmitë që ofron UNT, andaj janë në favor të një bashkëpunimi sa më intenziv.

Pritje shumë miqësore për akademik Izet Zeqirin organizuan drejtori i Shkollës së mesme të auto-transportit ‘Boro Petrushevski’, Goranço Nikollovski dhe zëvendës drejtori Zekirija Zeqiri, të cilët i uruan atij detyrën e re, ndërsa e njoftuan atë me laboratorët dhe punëtoritë e kësaj shkolle. Rektori Zeqiri u ofroi atyre çdo lloj ndihme që ju nevojitet, ndërsa porositi se dera e UNT-së do të jetë e hapur për ta.

Pjesë e delegacionit të rektorit në vizita, ishin edhe prorektori për Shkencë dhe hulumtime, Prof. Dr. Bekim Fetaji, prorektori për Arsim dhe Çështje studentore Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, dhe prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim Doc.Dr. Bujamin Bela.

Gjatë vizitave të punës rektori Izet Zeqiri ftoi drejtorët, maturantët dhe kujdestarët e tyre të jenë pjesë e Ditës së Hapur të UNT-së, që do të mbahet më datë 12.05.2022 në Sheshin ‘Skenderbeu’ në Çarshinë e Vjetër në Shkup, me fillim në orën 11.00.