Fillimi i korrikut solli edhe daljen në dritë të dy titujve të rinj të poetes Sadije Aliti. Dy botime të reja, dy vëllime poetikë në Prishtinë e Tetovë. Në edicionin e Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni” nga Prizreni u botua libri me poezi “DASHURI ËME”, i autores Sadije Aliti. Libri përmban poezi të autores në tri gjuhë: shqip, rumanisht dhe hungarisht, ky botim është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikë së Kosovës.
“Në librin e autores, Sadije Aliti, “Dashuri ëme”-“Anyaszeretet”-“Iubire de mamă“, paraqitet një laryshi temash përmes të cilave ajo jep mesazhin e fuqisë së artit, duke paraqitur vuajtjet e kohës që nga brezi i saj, ku ajo konkludon: “Brezi im, mblidh grushtin, e trysnisë bizare, sqaroj edhe më tej robit të kohës”, për të vazhduar kështu me paraqitjen e vazhdimësisë së pranisë përmes lashtësisë si, në poezinë “Melodia në valë”, ku “qyteti dhe mali, përsëri frymonin me të vjetrën, në melodinë e valëve”- thotë mes tjerash Bedri Halimi, botues nga Prishtina.
“Kur lexon poezitë e Sadijes, të duket sikur edhe poezia është me kode, flet e koduar. Po të lexosh poezitë e saj nuk mendoj se e kupton që të thotë haptas dashuroni apo mos dashuroni, pra kuptoni vetë. Në jetën miqësore flet pak, por nga ajo që flet thotë shumë, këtë e përdor edhe në vargun poetik”, thekson Lola Shehir recensente nga Tirana. Edhe libri i dytë, “Dashuri magjike”-“Mágikusszerelem”, është përmbledhje me poezi në gjuhën shqipe dhe hungareze, botim i financuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
“Sadije Aliti e kërkon harmoninë e fshehur të universit dhe mirëkuptimin njerëzor në kontekstin e lirikës së sotme shqipe. Vlen të ri përkujtojmë faktin se, jo vetëm në këtë vëllim bilingual, por edhe në përmbledhjet paraprake, defilon një gamë subjektesh atraktive dhe ekzistenciale, që nga dashuria e vjetër, e deri te mahnitja me pjesën më të shtrenjtë, që s’blihet me para”-shprehet përkthyesi dhe recensenti Baki Ymeri nga Bukureshti. ”Prurjet e reja të poetes nëpërmjet vargut shpërthyes, por dhe të ndriçuar bukur shpirtërisht, kjo është dhe ajo magjia e heshtur e poetes, që e bën vargun më intim dhe më personal”, shprehet Rami Kamberi, redaktor i librit nga Tetova. Vargu i poetes tetovare Sadije Aliti tani komunikon edhe në shumë gjuhë të tjera të Evropës e më gjerë. /Tv Koha