Akademia Suedeze shpalli fituesin e Çmimit Nobel për Letërsi 2020

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka shpallur sot poeten amerikane 77 vjeçe, Louise Gluck fituese të çmimit Nobel të letërsisë për vitin 2020. Gluck ka marrë çmimin Nobel me motivacionin ” për zërin e saj të pagabueshëm poetik që me një bukuri të rreptë e bën ekzistencën individuale universale “, njofton Portalb.mk.

”Ajo u kurorëzua për zërin e saj karakteristik poetik, që me bukurinë e saj të rreptë e bën ekzistencën individuale universale”, njoftoi Akademia Suedeze në dhënien e çmimit.

Louise Gluck ka lindur në New York në vitin 1943 dhe është rritur në Long Island. Është autore e dhjetëra librave dhe fituese e po kaq çmimeve.

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare sërish nuk ka mundur të fitojë, pavarësisht se ai është nominuar për këtë çmim disa vite me rradhë, përfshirë edhe këtë vit.

Ndërkohë, sa i përket fushave të tjera, Çmimi Nobel për kimi këtë vit dje i është ndarë dy shkencëtarëve, Emmanuelle Charpentier dhe Jennifer A. Doudna për zhvillimin e mjeteve për të ndërhyrë në ADN, baza molekulare e të gjithë jetës në Tokë.

Të hënën, Nobeli në Fiziologji ose Mjekësi i vitit 2020 iu dha shkencëtarëve Harvey J. Alter, Michael Houghton dhe Charles M. Rice për zbulimin e tyre në lidhje me virusin Hepatitit C.

Të martën, Nobeli në Fizikë i vitit 2020 iu dha shkencëtarëve Roger Penrose, Reinhard Genzel dhe Andrea Ghez për punën e tyre novatore në vrimat e zeza.

Themeluar nga Alfred Nobel në 1895, Çmimi Nobel për Paqe është një nga gjashtë çmimet që gjithashtu përfshin letërsi, fizikë, kimi, mjekësi ose psikologji dhe shkenca ekonomike. Çmimi Nobel i vitit 2020 ka një çmim prej 1.12 milion dollarë.