Nxënësit në rrugë kundër mësimit online, Shabani: Platforma funksionon mirë, mbi 80% janë kyçur (FOTO-VIDEO)

Duke bërtitur “Duam shkollë” dhe “Stop platformës” nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë sot marshuan nga Gjimnazi “Kiril Pejçinoviç” deri në sheshin “Ilirija”. Ata thanë se të gjithë nxënësit janë për mësim me prezencë fizike ndërkaq ata që nuk bojkotojnë, sipas tyre, e bëjnë këtë për shkak të kërcënimeve që ju vijnë nga kompetentët. Zëvendës ministri Arafat Shabani tha se edhe ai dëshiron mësimin me prezencë fizike por jo gjithçka shkon sipas dëshirës, i njëjti shtoi se orët e humbura do të zëvendësohen gjatë stinës së verës, shkruan Portalb.mk.

Një numër i madh i nxënësve sot në Tetovë protestuan kundër mësimit online, për shkak se sipas tyre kjo formë e mësimit nuk është efikase, ka nxënës që nuk kanë llaptop dhe shumë probleme tjera.

“Jemi mbledhur sot këtu për shumë arsye, e protestojmë mësimin online, ka shumë nxënës që nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin online për shkak se nuk i kanë kushtet. Ndërkaq, edhe ata që i kanë kushtet hasen në shumë probleme, unë personalisht jam kyçur në mësimin online dhe nuk është efikase, të gjithë nxënësit e dinë, bojkoti jonë duhet të merret parasysh për shkak se siç mund të shihet një përqindje e madhe e nxënësve janë kundër” tha Amar Jahiji, një nga nxënësit protestues.

Ndërkaq një prej organizatorëve, Asmir Xhelili, bëri thirrje që sa më shpejtë të shpëtohet ky muaj i vitit akademik për shkak se siç thotë ai, shtatori iku dëm. Xhelili gjithashtu tha se këta nxënës, si organizatorë, nuk i ka kontaktuar asnjë institucion apo person kompetent.

“Si zgjidhje të vetme e shohim mësimin me prezencë fizike, përderisa muaji shtator na iku dëm, muaji tetor është asaj rruge. Andaj, është mirë që të gjendet një zgjidhje për të vijuar mësimin me prezencë fizike. Nuk kemi dërguar letër ministrisë, ata i shohin protestat, duhet të na marrin parasysh për shkak se ne jemi shumicë. Nuk na ka kontaktuar askush deri sot nga ministria e Arsimit dhe Shkencës, kemi biseduar me drejtoreshën dhe e njëjta pohoi se 76% e prindërve janë të mendimit se nxënësit duhet të fillojnë mësimin me prezencë fizike” theksoi Asmir Xhelili, nxënës.

Kush i kërcënon nxënësit?

Një prej protestuesve, Amar Jahiji, tha se të gjithë nxënësit janë për fillimin e procesit arsimor me prezencë fizike ndërkaq jo të gjithë protestojnë, kjo për shkak se siç thotë ai, ka pasur kërcënime ndaj nxënësve.

Protestat e nxënësve kundër mësimit online.
Protestat e nxënësve kundër mësimit online.

“Shumica nuk duan ta ndjekin, ata që e ndjekin e kanë nga kërcënimet që ju bëhen nxënësve për shkak se sipas dëshirës. Na kërcënojnë kompetentet, thonë që nxënësit të cilët nuk do ta ndjekin mësimin online do të përjashtohen, kjo është gabim se nxënësit duhet të kenë zë dhe ta shfrytëzojnë atë” shtoi Amar Jahiji, nxënës.

Protesta kundër mësimit online aktualisht zhvillohen edhe në Komunën e Strugës si dhe Komunën e Kërçovës, Jona Sela nga Struga për Portalb.mk thotë se do të vazhdojnë me bojkotin, e njëjta pret epilogun nga mbledhja e të shtunës që do ta mbajnë me UNSHM-në.

“Bojkoti i mësimit online do të vazhdoje, nuk e kemi caktuar ende protestën e radhës por është e sigurte që do të ketë. Ne të shtunën kemi mbledhje edhe me Unionin e Nxënësve të Shkollave të mesme, presim që edhe ata të na përkrahin” Tha Jona Sela, organizatore e protestave kundër mësimit online në Strugë.

Protestat e nxënësve kundër mësimit online.

Çfarë thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për këto protesta?

Sipas zëvendës ministrit të Arsimit, Arafat Shabani, me këto protesta vetëm humbin nxënësit për shkak se siç thotë ai, secila orë do të zëvendësohet dhe kjo hap telashe mësimdhënësve dhe vetë nxënësve.

“Me protestat mendoj se humbin nxënësit, unë nuk e dëshiroj këtë, sepse sipas rregullave çdo ditë që humbet prej shkollës do të zëvendësohet gjatë pushimit, për shkak se merret evidencë se cila shkollë sa orë ka humb, kjo hap telashe edhe vetë nxënësve edhe mësimdhënësve” tha Arafat Shabani, zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Arafat Shabani, zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Arafat Shabani, zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ai thase nuk mban krahasimi që bëhet shpesh për atë se kafenetë janë të hapura ndërkaq shkollat jo, sipas tij, në rast se ndonjë nxënës infektohet në shkolla, askush nuk dëshiron të marre përgjegjësinë për këtë ndërkaq në kafene për të shkuar dëshira është individuale.

“Askush nuk dëshiron të merr përgjegjësi në rast se dikush infektohet në shkolla, andaj lidhshmëria që e bëjnë me kafenetë që qëndrojnë të hapura nuk qëndron, për shkak se në kafene se a do të shkoj vendos individi ndërkar këtu shteti” shtoi Shabani.

Ai shtoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është e vetmja kompetente për këtë, këtu përmendi Komisionin për Sëmundje Ngjitëse që sipas tij është më kompetente për të vendosur se a duhet të mbahen shkollat online apo me prezencë fizike. Ndërsa sa i përket Platformës Kombëtare, zëvendës ministri Shabani tha se “Është duke funksionuar shumë mirë, mbi 80% të nxënësve dhe mësimdhënësve janë kyçur”.

Ndërkaq sipas ministres së Arsimit Mila Carovska, në asnjë shkollë të Maqedonisë së Veriut nuk ka bojkot të organizuar të mësimit, ajo këta protestës i quan disa individid që së shpejti, duke ndjekur trendin do të kyçen në mësimin online.

“Për momentin nuk ka bojkot të plotë në asnjë shkollë, janë nxënës individ që unë jam e sigurt, duke ndjekur trendin e paraqitjes dhe fati te nxënësit që paraqiten edhe përkundër mësimit online, se do të kyçen në mësim. Kaluan vetëm dy ditë, ata janë dy ditë me orë kujdestarie, ku nxënësit adaptohen”, tha Milla Carovska.

Burimi: Portalb

https://www.facebook.com/watch/?v=1255073211538404