Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Pärt: Koronavirusi na ka treguar në një mënyrë të dhimbshme se njerëzimi është një organizëm i vetëm

Kompozitori estonez avangardë, i shumëvlerësuar nga kritika, një nga 3 më të mëdhenjtë e muzikës akoma gjallë, Arvo Pärt, ka dhënë një intervistë të rrallë për gazetën spanjolle “ABC”, në të cilën maestro tha se koronavirusi na ka treguar në një mënyrë të dhimbshme se njerëzimi është një organizëm i vetëm dhe se ekzistenca njerëzore është e mundur vetëm në lidhje me qeniet e tjera të gjalla.

ipas mendimit tuaj, çfarë roli luajnë artet ndërkohë që rrjete lidhjesh sociale janë bërë pika referimi që përcaktojnë identitetin tonë në krizën aktuale globale që po kalojmë?

Ajo që po ndodh në botë sot na detyron të gjithëve të bëjmë sakrifica dhe të vazhdojmë në rrjedhën e jetës. Në njëfarë mënyre, është si një “agjërim total” për të gjithë botën. Të gjitha kulturat e dinë konceptin e agjërimit, përfitimet dhe ndikimin e tij. Situata e tanishme e vetëpërmbajtjes na shqetëson të gjithëve – edhe në botën e artit, na pëlqen apo jo.

A ju ka frymëzuar kriza aktuale, situata e tmerrshme, që të krijoni diçka, të kompozoni, apo ka ndodhur e kundërta?

Autori amerikan, John Updike, dikur tha se ai përpiqet të punojë me të njëjtën qetësi si zejtarët e mesjetës që dekoruan anët e fshehura të stolave me gdhendjet e tyre, edhe pse askush nuk do të mund t’i shihte ato pas përfundimit. Përpiqem, sa mundem që të jetoj me të njëjtin parim.

Sipas mendimit tuaj, a po ndikon kjo krizë në mënyrën se si muzika shihet dhe kompozohet? Nëse po, atëherë cila është forma e re e muzikës, gjuha e re muzikore, që lind pas këtij makthi?

Vështirë të thuhet. Çdo vështirësi i bën artistët që të lëvizin më afër asaj që është e rëndësishme, thelbësore. Vetëm koha mund të tregojë se çfarë do të korret nga e gjitha kjo.

Cili është mësimi më i rëndësishëm që duhet të nxjerrim nga këto kufizime? A dimë si shoqëri si të jetojmë në izolim?

Ky koronavirus i vogël na ka treguar në një mënyrë të dhimbshme se njerëzimi është një organizëm i vetëm dhe se ekzistenca njerëzore është e mundur vetëm në lidhje me qeniet e tjera të gjalla. Nocioni i “marrëdhënies” duhet të kuptohet si një maksimum, si aftësi për të dashur. Megjithëse ky është me të vërtetë një standard i lartë, mbase edhe shumë i lartë për një qenie njerëzore.

Situata jonë aktuale është paradoksale: nga njëra anë, kjo do të thotë izolim, nga ana tjetër, na afron. Ndërsa izolojmë veten, ne duhet të jemi në gjendje – madje jemi të detyruar t’i vlerësojmë marrëdhëniet tona në një rreth të vogël dhe të priremi ndaj tyre. Të gjitha këto duhet t’i mësojmë para se t’i presim, apo edhe t’i kërkojmë, dashurinë dhe drejtësinë nga e gjithë bota. Në njëfarë mënyre, koronavirusi na ka dërguar të gjithëve përsëri në klasën e parë. Vetëm pasi ta kemi kaluar këtë test, mund të fillojmë të mendojmë për hapat e ardhshëm. Ky është një proces shumë i gjatë.

Është e qartë se, pas kapërcimit të kësaj krize, bota dhe shoqëria jonë nuk do të jenë të njëjta. Por si do të jetë? A do të ndryshojë të kuptuarit tonë për lirinë dhe të drejtat civile?

Po, kjo është saktësisht ajo që do të ndodhë. Deri më tani, ne nuk kemi ditur si ta trajtojmë lirinë tonë në mënyrën e duhur. Dënimi mund të jetë i dhimbshëm.

Si rezultat i padrejtësisë së regjimit sovjetik, ju është dashur të mërgoni. Si do ta vlerësonit reagimin ndaj krizës nga vendet dhe qeveritë e botës?

Kriza ka krijuar një situatë ku të gjitha problemet dhe mangësitë e mundshme zbulohen në çdo nivel. Nuk ka rëndësi nëse flasim për dobësitë e sistemeve politike apo sociale. Kriza aktuale nuk kursen askënd, në gjendjen e jashtëzakonshme të gjithë zbulojnë “vlerën” e tyre të vërtetë, e cila nuk mund të fshihet më. Askush nuk e di se si do të dalim nga kjo, por të gjithë e dimë se asgjë nuk do të mbetet e njëjtë. 

Burimi: ABC, Estonian World /KultPlus.com