Intervistë më zëdhënësin e Qytetit të Shkupit, Valon Salihu: Si e ndryshuam qytetin gjatë këtij mandati!

Schoolture: Po përfundon ngadalë edhe mandati i kësaj administrate të Qytetit të Shkupit dhe në vjeshtë do të ketë zgjedhje lokale. A mund të na thoni se cilat janë projektet kyçe të cilat i keni realizuar deri tani?

Angazhimi i kësaj administrate ka qenë i përqendruar kryesisht në fushat që kanë të bëjnë me problematikat thelbësore që i janë shkaktuar Shkupit nga moskujdesja dhe keqmenaxhimi nga qeverisjet e kaluara. Problematikat e tilla na kanë shtyer që aksent të veçante t’ju japim projekteve që kanë të bëjnë me luftën kundër ajrit të ndotur, zhvillimin e infrastrukturës rrugore, kthimin e gjelberimit të humbur me vite, zhvillimin e çiklizmit si transport alternativ dhe i shëndetshëm, çlirimin e trotuareve të uzurpuara nga veturat e ndryshme, zhvillimin e transportit publik në aspekt të efikasitetit si dhe balancimin e qytetit në aspekt të kualitetit të jetesës në të dy anët e qytetit, duke mos anashkaluar këtu edhe menaxhimin e problemeve me të cilat qytetarët u ndeshën gjatë pandemisë së COVID-19 e cila realisht na mori dy vite nga mandati katërvjeçarë i kësaj administrate.

Mua personalisht kënaqësi të veçantë më jep fakti se dalëngadalë po e ndërrojmë perceptimin e deritanishëm të qytetarëve që jepte ndjesinë se Shkupi për disa ishte nënë ndërsa për të tjerët njerkë. Ajo që bie në sy këto vitet e fundit është fakti se ndërgjegjësimi i qytetarëve në pjesë veriore të qytetit fillon të rritet, dhe kjo për çështje dhe tema të cilat deri dje ishin absurde. Tashmë nuk flasim për atë nëse investohet dhe punohet në këtë pjesë të qytetit, por flasim për atë se sa janë adekuate dhe cilësore investimet. Tashmë nuk flasim për atë se sa absurde është të mos ketë korsi për biçikleta, por flasim për cilësinë e korsive të biçikletave. Tashmë nuk protestojmë kundër ngritjes së ndërtesave në hapësirat e gjelbra, por ngremë zërin për problemet e qytetarëve në lidhje me vendet e parkimit. Debatojmë si të arrijmë marrëveshje. Flasim për atë se si të zgjidhen problemet me parkimin dhe si të krijohen hapësira adekuate për këmbësorët dhe çiklistët.

Schoolture: Sa jeni të kënaqur nga realizimi i programit të premtuar para qytetarëve të Shkupit?

Ndoshta mendimi im në lidhje me këtë çështje mund të jetë paksa subjektiv, mirëpo nga pikëpamja ime, duke i marrë parasysh rrethanat, mendoj se nuk jemi shume larg premtimeve parazgjedhore. Një ndër premtimet kryesore ka qenë ndeshja dhe lufta kundër ajrit të ndotur dhe fakti që statistikat zyrtare nga ministria e mjedisit dhe ambientit jetësore tregojnë që trendi i ndotjes se ajrit po ulet çdo vit e me tepër tregon se jemi në rrugë të mirë për ta zgjidhur këtë problem. Trendi i uljes së ndotjes së ajrit nuk është i rastësishëm por kjo është arritur me punë dhe përkushtim. Jeni dëshmitarë të subvencioneve të ndryshme me qëllim që të inkurajojmë qytetarët që të ndërrojnë mënyrën e ngrohjes në shtëpitë e tyre pasi që ky është shkaktari kryesore i ndotjes gjatë dimrit. Kemi dhënë subvencione për klima inverter, si një nga mënyrat më efikase për ngrohje e cila nuk len pasoja në ambientin jetësorë, subvencione për pastrim të oxhaqeve pasi që një oxhak jo i pastruar ndot tre herë më tepër, kemi dhënë edhe subvencione për biçikleta dhe trotinete elektrike me qëllim që të stimulojmë qytetarët sa me pak të përdorin veturën si mjet transporti, paralelisht me këtë kemi punuar dhe në ngritjen e infrastrukturës për çiklizëm por njeherit kemi pastruar edhe shume trotuare në Shkup nga veturat të cilat uzurponin po te njëjtat, ndërsa nga ana tjetër kemi rritur edhe numrin e gjobave ndaj ndotësve të ajrit. Kemi pastruar shumë deponi të cilat i shihnim çdo ditë e më tepër nëpër qytet dhe njëherit të njejtat u shndërruan në parqe. Kemi rritur drastikisht edhe gjelbrimin në qytet dhe kemi kthyer drunjtë dhe gjelbërim në pjesët e qytetit ku në të kaluarën ishim dëshmitarë të masakrimeve të hapësirave të gjelberta dhe prezencës së ndërtimeve të reja nëpër ato hapësira çdo dite e më tepër. Një nga premtimet kryesore ishte edhe zgjidhja e problemit me transportin publik, sistem ky i cili nuk është ndërruar dhe adaptuar nevojave të qytetit dhe qytetarëve që nga vitet e 80-ta. Sot në rrugët e qytetit mund të shihni autobusët ekologjik të cilët nuk ndotin dhe janë shumë më të sigurt dhe me te rehatshëm për qytetarët në krahasim me autobusët e deritanishëm. Njeherit jemi në fazën e fundit të tenderimit për fillimin e punimeve për BRT (Bus Rapid Transport) sistemin, i cili do u mundëson qytetarëve të përdorin transport modern i cili ngjason me tramvajin por është shumë më efikas dhe me i pagueshëm. Gjithashtu kemi punuar shume edhe në infrastrukturën rrugore, ku vetëm për tre vite, dy nga të cilat i kaluam në pandemi, ndërtuam 4 bulevarde të reja, një urë për komunikacion rrugorë dhe rekonstruime të shumta të rrugëve të cilat nuk ishin prekur me vite duke vënë theks të veçantë në pjesën veriore të qytetit. Kjo vetëm tregon për angazhimin serioz të kësaj administrate kundrejt problematikave reale që ky qytet i ka dhe do te ketë, por të cilat fatkeqësisht kanë qenë të anashkaluar nga kryetarët e deritanishëm.

Schoolture: A ka ndonjë projekt i cili ju ka mbetur peng dhe nuk keni arritur ta realizoni?

Gjithsesi se ka. Shkupi është një materie e gjallë e cila kërkon punë, projekte dhe investime gjatë tërë kohës. Jo vetëm Shkupi, por çdo qytet i cili synon kualitet jetese për qytetarët e vet. Një gjë që gjatë këtyre tre viteve nuk arritëm ta bëjmë është që të kemi policinë komunale të tonën. Kjo është  pike kyçe nëse ne si qytet duam të vendosim rend në kaosin publik komunal. Kryeqytetet fqinje si Tirana dhe Beogradi veçmë kanë policinë e vetë komunale, fakt ky që ne si Qytet i Shkupit na vë në disavantazhe ndaj kryeqyteteve tjera, pasiqë për të zgjidhur rendin publik duhet të mbështetemi në tjera institucione. Iniciativa për këtë gjë është filluar nga ana jonë por fatkeqësisht nuk e kemi fuqinë dhe mundësinë në te sjellim këso vendime pa kaluar procedurat nëpër institucionet qeveritare. Shpresoj që në një të ardhme të afërt edhe Shkupi do ta ketë policinë e vet komunale dhe fotografitë e këqija në aspekt të rendit komunal do ti shohim më pak e më pak. Gjithashtu projekt tjetër për të cilin më vjen keq që nuk arritëm ta mbarojmë gjatë këtyre tre viteve është moskthimi i nxehjes qendrore të qytetit në duart e Qytetit të Shkupit. Fatkeqësisht para shume vitesh ngrohja qendrore e qytetit u është dhënë në pronësi firmave private dhe neglizhenca dhe keqmenaxhimi i tyre solli deri te ajo që shumë qytetarë të ç’kyçen nga sistemi kolektiv i ngrohjes. Kjo më pas rezultoi me përdorim të ngrohjeve alternative më të lira nga ana e qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre gjë që dha kontribut të veçantë në ndotjen enorme të ajrit në qytet. Dhe projekti i tretë të cilin nuk arritëm ta fillojmë gjatë këtyre tre viteve është parku zbavitës i qytetit i njohur si Luna Park. Fatkeqësisht, edhe pse gjithçka ishte gati për të filluar me ndërtimin e po te njëjtit, na ndodhi pandemia me COVID-19, dhe me qëllim që të mbijetojnë institucionet e qytetit në aspekt financiarë, duheshte buxhetin për këtë projekt ta realokojme në tjera prioritete. Ajo që na jep paksa optimizëm është fakti që situata me pandeminë ka filluar të normalizohet dhe se së shpejti do të mund ti përvishemi punës aty ku  na ka mbetur.

Schoolture: Ku e sheh veten në të ardhmen Valoni?

Unë njihem si person ambicioz i cili nuk i frikësohet punës dhe sfidave që puna sjell. Kjo gjë më ka ndihmuar shumë në jetë si në aspekt profesional ashtu edhe në jetën private. Njeherit një nga karakteristikat që posedoj është edhe ajo që gjatë punës dua edhe të kontribuoj në shoqërinë dhe rrethin ku jetoj. Kjo ishte edhe arsyeja përse vendosa të filloj të punoj punën që tani kam. Veten në të ardhmen më së pari e shoh si një prind dhe bashkëshort i përkushtuar, ndërsa sa i përket aspektit profesional, nuk e besoj se ky është kulmi i karrierës sime. Gjeja kryesore është se nuk i frikohem të ardhmes dhe e di që nëse një njeri është i përkushtuar në punën që e bën, e bën me dashuri dhe profesionalizëm, suksesi në jetë është i pashmangshëm. Ambicia ime për të mos ndalur këtu ku jam është mëse e qartë dhe këso ambicie duhet të posedojë çdo person, pa marrë parasysh se çka dhe ku punon. Ajo qe duhet të dimë ne si shoqëri është se me çdo ngritje profesionale na shtohen edhe përgjegjësitë, por përveç përgjegjësive na shtohen edhe mundësitë për të kontribuar në shoqërinë ku jetojmë. Kontributi im nga pozita e tanishme, sado që të jete ai, vetëm më ushqen ambicien që në të ardhmen të shoh veten në pozitë ku përgjegjësitë dhe mundësitë për të kontribuar do i kem shumë më të mëdha. Dhe për fund, besoj që puna që kemi filluar me transformimin e qytetit, do të jetë vetëm bazë për të gjithë ata që do të marrin qytetin nën menaxhim në të ardhmen, dhe jo shume larg prej tani, të gjithë do të jetojmë në një qytet pa ajër të ndotur, pa deponi të egra, me shumë gjelberim dhe me sa më pak automobila ndërsa shumë më tepër biçikleta.